Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i RTK 1, Festim Kabashi, inicion procedura disiplinore ndaj dy punëtorëve për shkelje të rregullave

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, ka thënë se drejtori i RTK 1, Festim Kabashi, ka inicuar procedurë disiplinore ndaj gazetarit Blerim Haxhiaj pasi mori pjesë si opinionist në një medium për zhvillimet në Shqipëri.

“Drejtori i RTK-TV-se, Festim Kabashi paska inicuar procedurë diciplinore kundër gazetarit Blerim Haxhiaj me arsyetimin se ka marrë pjesë në cilësinë e opinionistit në mediat tjera”, ka shkruar Hoxha në rrjetin Facebook.

Sipas tij, RTK po aplikon metoda selektive pasi shumë gazetarë të këtij mediumi kanë dhënë opinione në media tjera dhe nuk janë marrë masa.

“Paramendoni, cdo ditë i shohim në ekran Milaim Zekën, Ridvan Berishën, Ernest Lumën, Mufail Limanin, etj. e Festimi me bashkëpunëtorët e tij heshtin. Ky është selektiviteti që është aplikuar me vite në Transmetuesin Publik”, është shprehur tutje Hoxha.

Drejtori i RTK-TV, Festim Kabashi në një deklarim për KALLXO.com tha se kanë inicuar procedura disiplinore për dy punëtorë të RTK-së për shkelje të rregulloreve të brendshme dhe standardeve etike të RTK-së.

“Pas raportimit të eprorëve të drejtpërdrejt për shkelje të pretenduara të rregulloreve të brendshme dhe standardeve etike dhe profesionale të RTK-së, sot kam iniciuar procedurë disiplinore për dy punëtorë të RTK-së, pra jo për një, por për dy punëtorë të RTK-së”, ka thënë Kabashi.

Ai shtoi se të gjithë punëtorët janë paralajmëruar për masat që merren në rast se cenojnë paanshmërinë editoriale të RTK-së.

“Të gjithë punëtorët e RTK-së, janë paralajmëruar me shkrim se do të merren masa ndaj të gjithë atyre që marrin pjesë në aktivitete dhe deklarime në komunikim publik që cenojnë besueshmërinë dhe paanshmërinë editoriale të RTK-së”, shtoi tutje Kabashi.

Lidhur më këtë, gazetari i RTK-së, Blerim Haxhiaj në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk ka asnjë angazhim në mediat vendore duke shtuar se deklarimet e tij nuk e dëmtojnë RTK-në.

” Unë nuk kam asnjë angazhim në mediat/kanalet televizive vendore, në përputhje me udhëzimin që na e ka dërguar së fundi administrata e RTK-së. Deklarimet e mia publike nuk cenojnë dhe dëmtojnë në asnjë rast RTK-në, ku unë jam Producent Ekzekutiv i Aktualiteteve”, ka thënë Haxhiaj.

Tutje, ai potencoi se ftesës për të diskutuar për zhvillimet në Shqipëri i është përgjigjur pozitivisht në cilësinë e gazetarit e jo ne emër të RTK-së.

Haxhiaj potencoi se shumë të punësuar të RTK-së kanë marrë pjesë në programe të ndryshme si panelistë dhe nuk ka njohuri të ketë pasur procedura disiplinore.

“Ftesës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, si njohës i situatës atje, i jam përgjigjur pozitivisht, në cilësinë e gazetarit/opinionistit, e jo në emër të RTK-së, bazuar edhe në praktikat shumëvjeçare të të punësuarve në RTK, që kanë marrë pjesë në programe të ndryshme si panelistë, analistë etj, për të cilët nuk e di që ka pasur ndonjëherë procedurë disiplinore, pavarësisht mënyrës se si janë prezantuar e vazhdojnë të prezantohen”, shtoi tutje Haxhiaj.

Ai tutje theksoi se ka kërkuar nga u.d. kryeredaktori sqarim për shpjegimet ligjore rreth rasteve të tilla.

“Për të pasur një qartësi në këtë drejtim, kam kërkuar nga u.d. kryeredaktori që të marrë më shumë shpjegime ligjore rreth rasteve të tilla kur na ftojnë si mysafirë në kanalet e tjera televizive, por nuk kam marrë ende diçka konkrete”, shtoi tutje Haxhiaj.

Gazetari Blerim Haxhiaj deklaroi se paraqitja e tij është bërë i bindur se nuk përbën shkelje të standardeve dhe udhëzimeve të RTK-së apo kontratës së tij të punës.