Rilind Gervalla, FOTO FACEBOOK

Drejtori i ri i RTK-së: Nuk jam anëtar i asnjë partie politike

Drejtori i ri i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4, Rilind Gërvalla ka reaguar pas kritikave lidhur me emërimin e tij në këtë pozitë.

Gërvalla përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është zgjedhur në mënyrë korrekte, në konkurs transparent, e në garë me kolegë të aftë profesional.

Ai ka thënë se prej vjetësh nuk është anëtar në asnjë grupacion politik.

“Kjo nuk dmth se unë ndër vite kam qenë indiferent ndaj historisë sonë të përbashkët. Kosova jonë është një vend i vogël që po ndërton shtetësinë nga fillimi; e pra ky impenjim ka kërkuar angazhime nga të gjithë ne. Të gjithë ne qytetarët e moshës madhore kemi kontribuar ndër vite, në një formë ose një tjetër. Kemi marrë pjesë në lëvizjen studentore, skenën muzikore, luftën çlirimtare, ashtu si unë, jemi shprehur për politikë, kemi komentuar, kemi votuar, etj. Them se kjo është normale”- ka thënë ai.

Gërvalla ka thënë se të gjithë krerët e politikës se ata janë të obliguar ligjërisht që të respektojnë integritetin e RTK-së si institucion publik.

“E se mësymja e bojkotet përbëjnë ndërhyrje të politikës në një institucion të pavarur. Ju pra po shkelni vetë, që sot, mbi atë dërrasë të kalbur mbi të cilën po spekuloni se ndoshta mund të shkel unë dikur në rolin tim të ri”- ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se i siguron të gjithë krerët politikë se drejtoria që ai udhëheq do të respektojë hierarkinë dhe organogramin dhe do të mbajë qëndrim të paanshëm ndaj partive që ndërtojnë demokracinë tonë.

Lidhja Demokratike e Kosovës të premten përmes një komunikate për media bëri të ditur që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues.

Po ashtu, pesë organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në Evropë, Article 19 Europe, European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), European Federation of Journalists (EFJ), International Press Institute (IPI) dhe Reporters Without Borders (RSF), përmes një letre i janë drejtuar kryeministrit të vendit dhe njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit, për të shprehur shqetësim në lidhje me emërimin e financuesit të LVV-së,  Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit të kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

Në letër thuhet se organizatat para votimit nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) iu kishin bërë thirrje duke shpresuar se përzgjedhja do të bëhet në bazë të meritës, profesionalizmit dhe pavarësisë e jo në bazë të përkatësive politike.

Ditëve të fundit pati reagime për emërimin e Rilind Gërvallës, financuesit të Lëvizjes Vetëvendosje si drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

KALLXO.com raportoi se Gërvalla kishte qenë financues i Lëvizjes Vetëvendosje më 2020 dhe ishte parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie dhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.

Rilind Gërvalla ka thënë se është zgjedhur drejtor i kanaleve shqip në RTK pas pesë herë radhazi ndërsa theksoi se tash e 23 vite ishte pjesë e RTK-së në pozita të ndryshme.

Gërvalla, raportimet i ka quajtur sulme politike dhe fabrikime.

Në konkursin për drejtor të kanalit shqip në RTK 1, 3 dhe 4 kishin konkurruar gjashtë kandidatë, ndërsa katër nga ta kishin plotësuar kriteret për intervistë. Më i poentuari nga komisioni ishte zgjedhur Rilind Gërvalla.

Për ‘lidhjet’ e Gërvallës me LVV-në, dhe raportimet në media për të, Ahmetxhekaj tha se kanë kërkuar sqarime nga Lëvizja Vetëvendosje nëse ai ka qenë pjesë e strukturave apo forumeve drejtuese në tri vitet e fundit.

Ai tha se një arsye shtesë për të kërkuar sqarime ka qenë edhe mundësia e manipulimit të fotografive.

Ahmetxhekaj sqaroi se LVV ka thënë se Gërvalla në periudhën e cekur nga RTK nuk ka qenë pjesë e strukturave të këtij subjekti.