
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Drejtori i QKMF-së në Junik tregon pse askush nuk ishte në qendrën e vaksinimit
Pak orë më parë KALLXO.com raportoi për mungesën e personelit në qendrën e vaksinimit në Junik.
Një qytetar ka shkuar për t’u vaksinuar por në qendrën e vaksinimit ai nuk e ka gjetur askënd.
Qytetari ka incizuar qendrën e vaksinimit ku nuk shihet asnjë mjek apo personel tjetër mjekësor.
Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Junik, Ali Kuçin.
Kuçi ka treguar se për shkak të mungesës së stafit, sot dhe nesër vaksinimi do të bëhet deri në orën 15:30.
“Mjekun që e kemi ne për vaksinim e i cili punon në të dyja ndërrimet, sot dhe nesër është në një trajnim për specializim në Prishtinë. Megjithatë vaksinimi për këto dy ditë vazhdon deri në 15:30”, ka thënë Kuçi.
Tutje ai ka shtuar se një mjek që ata e kanë kërkuar si përforcim nga Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë siguruar ende sepse askush nuk është paraqitur në konkurs.
“Unë kam bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që me na pru një specializant e me vazhdu prapë qysh kemi vazhdu me dy ndërrimet por akoma nuk kanë mujtë me na siguru një mjek. Dy herë e kemi hapë konkursin për mjek përforcues me Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk është paraqitur askush”, ka deklaruar Kuçi për KALLXO.com.