Drejtori i Qendrës Studentore: Është e pamundur në këtë fazë që librat t'u kthehen studentëve

Gjatë ditës së djeshme, rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i është kërkuar që të veprojë në lidhje me sigurinë e sendeve të studentëve të konvikteve, të cilat tashmë janë shndërruar në karantinë. Po ashtu, i është kërkuar që të gjejë një zgjidhje në mënyrë që studentët të mund t’i marrin librat dhe materialet e tjera mësimore nga konviktet.

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar që rektori Dema ka kontaktuar përmes telefonit me drejtorin e Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta, të cilit në emër të studentëve i ka përcjellë shqetësimet e tyre për sigurinë e gjësendeve të tyre dhe mundësinë e tërheqjes së librave.

Dema u informua nga drejtori Sfishta se gjësendet e studentëve janë të siguruara si dhe janë ndarë sipas protokolleve që mundësojnë që asnjë pronë e studentëve të mos humbet.

“Ndërkaq, rreth kërkesës së rektorit Dema për tu gjetur një mënyrë që librat dhe materialet e tjera mësimore të nevojshme të kthehen tek studentët, Sfishta informoi që një gjë e tillë është e pamundur në këtë fazë, për çka kërkohet mirëkuptimi i studentëve”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Sipas njoftimit, rektori Dema u sigurua që të ofrojë mbështetjen e Universitetit të Prishtinës për stafin e Qendrës Studentore, si dhe kudo që ajo është e nevojshme, në mënyrë që situata e krijuar të tejkalohet me më pak pasoja për vendin.