Foto: Policia e Kosovës

Drejtori i Policisë viziton policin e lënduar gjatë intervenimit në një rast dhune në familje

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka vizituar stacionin policor në Suharekë dhe policin që është lënduar gjatë intervenimit në një rast dhune në familje.

“Drejtori Mehmeti realizoi një vizitë në shtëpinë e zyrtarit policor i cili ditë më parë u sulmua dhe mori lëndime trupore nga një i dyshuar, gjatë intervenimit në një rast të dhunës në familje në Suharekë”, njofton Policia.

Sipas njoftimit, personi i cili sulmoi zyrtarin policor tanimë është arrestuar, I njëjti kishte edhe vepra të tjera penale.

“Drejtori i Përgjithshëm z. Mehmeti, zyrtarit të lënduar i dëshiroi shërim sa më të shpejtë, shprehu mbështetjen e plotë dhe vlerësoi lart përkushtimin e tij, që gjatë realizimit të detyrës zyrtare me vetëmohim ka vepruar duke intervenuar në parandalimin e dhunës në familje duke rrezikuar edhe jetën”, thuhet ndër të tjera.

Policia njofton se Mehmeti ka vizituar stacionin policor së bashku me drejtorin e Departamentit për Operacione, Gazmend Hoxha.

“Gjatë kësaj vizite ata u pritën nga Drejtori rajonal i Prizrenit Kolonel Faton Alija dhe komandanti i stacionit policor në Suharekë me stafin e tij”, thuhet më tutje.

Aty u diskutua edhe për për angazhimet policore në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, rezultatet e deritanishme si dhe objektivat dhe planifikimet për vitin 2022.

Foto: Policia e Kosovës