Shefi i Policisë Shqiptare, Ardi Veliu, Foto: LSA

Drejtori i Policisë së Shtetit: Po ofroj dorëheqje për t’iu përkushtuar familjes

Ardi Veliu ka drejtuar Policinë e Shtetit në katër vitet e fundit. I njëjti gjatë ditës së sotme ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë, ndërsa letër-dorëheqjen e ka publikuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Twitter.

Veliu ka përmendur në letër- doëheqje disa nga detyrat që ka ushtruar gjatë kohës sa ishte në krye të Policisë së Shtetit.

“Për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit në një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrifikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar e atij të rrugës, flukset e emigrantëve apo dhe tubimet shpesh herë të dhunshme”, nis letër- dorëheqja e Veliut drejtuar kryeministrit Rama.

Ai në dorëheqje ka thënë se do t’i përkushtohet familjes.

“Në këto momente kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite”, ka shkruar tutje Veliu në letër- dorëheqje.

Kryeministri Rama letër-dorëheqjen e Veliut e ka publikuar në rrjetin social Twitter me mbishkrimin: “Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falënderoj nga zemra për kontributin e vyer”.

Në anën tjetër A2 CNN ka raportuar se emri më i përfolur për të zëvendësuar Veliun në këtë detyrë është Gledis Nano, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Anti-Terrorizmit në Policinë e Shtetit.