Drejtori i Policisë përgënjeshtron Presidentin: Ne veprojmë në tërë vendin

Rashit Qalaj, Drejtor i Policisë së Kosovës ka deklaruar sot se si institucion shtrijnë veprimet e tyre në tërë vendin, duke përfshirë komunat e banuara me shumicë serbe.

Deklarata e tij erdhi pas disa kritikave që iu bënë sot qeverisë , duke përfshirë Presidentin Hashim Thaçi, në lidhje me kontrollin në komunat në veri të vendit gjatë krizës së pandemisë COVID-19 duke lejuar që kontrollin ta merr shteti serb.

Në anën tjetër, Ministra të Qeverisë Kurti kanë thënë se vendimet për karantinim të Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit u morën nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Qalaj në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë, tha se policia vepron në të gjithë vendin.

“Nuk ka asnjë pikë dyshimi që Policia e Kosovës vepron në tërë vendin në obligim me Kushtetutën dhe në pajtim më ligjet tona, të policisë dhe çdo veprim bëhet në koordinim me qeverinë”, tha Qalaj.

Ai shtoi se asnjë person nuk ka hyrë pa leje në Kosovë nga Serbia këto ditë.

“Në Kosovë kane hy me leje një numër mjaft i madh i personelit mjekësor nga Serbia në Kosovë te cilët kane shkuar në qytete të ndryshme në Gracanicë dhe Mitrovicë që të kujdesen në spitale. Mund të them që asnjë individ nuk ka hyrë pa leje”, tha Qalaj.

Në anën tjetër sot gjatë ditës, Presidenti i vendit  ka drejtuar akuza ndaj Qeverisë në detyrë në lidhje me menaxhimin e situatës në komunat e veriut të Kosovës në kohë pandemia.

Sipas Thaçit, Qeveria në detyrë nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve të Kosovës.

Thaçi ka kërkuar nga Qeveria që të sigurojë se masat po zbatohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.”, shkroi ai.

 

Thaçi akuzon Qeverinë e Kosovës për papërgjegjshmëri në komunat veriore