Drejtori i Policisë: Nuk kemi bazë ligjore t'i arrestojmë vetëm pse janë në listë të zezë të ShBA-së

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka thënë se nuk kanë mundësi që të arrestojnë personat e vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së pasi nuk ka bazë ligjore për t’i arrestuar ata.

“Nëse prokuroria kërkon nga ne, ne do të veprojmë, nëse ne hasim në informacione që ndërlidhen me krim ne prapë do të veprojmë, por vetëm pse ata janë në listë të zezë ne nuk e kemi atë mundësi për të vepruar pasi nuk kemi bazë ligjore”, ka thënë Mehmeti gjatë raportimit para komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

I njëjti shtoi se nëse prokuroria vlerëson që veprimet e këtyre personave të futur në listën e zezë të ShBA-së paraqesin vepër penale Policia e Kosovës është në dispozicion për të vepruar.

Para disa ditësh Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të Departamentit të Thesarit të ShBA-së, publikoi një listë të personave dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”. Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Personat e sanksionuar nga ShBA-ja janë Milan Radojçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova.