Drejtori i Policisë mbrëmë tha se qentë nuk nuhasin në shi, por sot kjo njësi është në teren

Ndonëse gjatë ditës së djeshme drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kishte deklaruar se qentë nuk mund të nuhasin aromat në mot me shi, kjo njësi sot është parë në vend të ngjarjes edhe pse, edhe sot, sikurse dje është mot me shi.

Mehmeti në një konferencë për media ka konfirmuar se njësia K9 sot janë në vendngjarje.

Tutje ai ka treguar se kanë dy-tri pista hetimesh dhe se në këtë rast mund të jenë të përfshirë disa persona në rast.

“I kemi dy-tri pista të hetimeve. E kemi një person fillimisht por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë e që mund të ketë më shumë se një i dyshuar. Mund të jenë dy-tre motive. Po njësia K9 është në terren dhe aktualisht është duke u bërë krehja e terrenit. Keni dëgjuar se mund të jetë akt terrorist nga media të ndryshme, por deri më tash s’ka asnjë provë e asgjë që na dërgon te motivi i religjionit”, ka shtuar Mehmeti.

Gjatë ditës së djeshme Mehmeti kishte deklaruar se njësia K9 nuk ka mundur të shkojë në vendngjarje për shkak të motit me shi e që sipas tij qeni e ka të pamundur të nuhasë aroma.

“Në teren kur është situata kështu me shi, qeni nuk arrin të nuhasë erën e ndonjë të dyshimti, të armës apo të ngjashme. Ne e kemi njësinë e qenve me vete, por në këtë situatë me shi është e pamundur me i përdorë qentë që nuhasin”, kishte thënë dje drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.

Mbrëmë kanë mbetur të vdekur tre persona pas sulmit me kallashnikov që i është berë një autobusi që po bartte nxënës.

Të vdekur kanë mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Sipas të dhënave zyrtare ende nuk dihen motivet që kanë çuar në kryerjen e këtij akti.

Po ashtu, sipas njoftimeve të fundit të Policisë së Kosovës ende nuk është arrestuar askush ndonëse janë kryer disa bastisje që në orët e para të mëngjesit.

Vrasja e trefishtë në Deçan – Autobusi vazhdon të jetë në vend të ngjarjes, Policia po patrullon me qen