Raportimi në Komisionin për Siguri. Foto: KALLXO.com.

Drejtori i Policisë: Kemi pasë kritika që policët s’dinë me shkru shqip, prandaj në test ka pasë pyetje të tilla

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se Policia e Kosovës ka hartuar një plan të sigurisë pas luftës në Ukrainë.

“Ky plan përmban kontrollin e shtuar të automjeteve që vijën nga shtetet e ndryshme, njësitet e specializuara kanë ngritur nivelin e profesionalizimit, janë duke u organizuar trajnime të ndryshme të brendshëm dhe ndërkombëtare, është mbajtur trajnimi në kampin e Vrellës”, tha Mehmeti.

Mehmeti foli edhe për konkursin për rekrutimin e kandidatëve për zyrtarë policorë.

“Është mbajtur testimin e rekrutimit, në lidhje me pyetjet e testit me shkrim janë konsultuar profesorë të fushave përkatëse. Kanë qenë kryesisht pyetje që mësohen në shkollën fillore dhe të mesme dhe kanë qenë pyetje që mund t’i përgjigjen personat që kanë kryer shkollimin me sukses mesatar, e përsërisë mesatar”, tha drejtori i Policisë.

Sipas tij, gjatë shqyrtimit të aplikacioneve, komisioni vlerësues i Policisë, ka vërejtur që një pjesë e kandidatëve kanë sukses të mjaftueshëm ose të mirë.

“Komisioni përzgjedhës ka bërë publikimin e rezultateve ku kanë marrë pjesë 8500 kandidatë, ku vetëm 1447 kanë kaluar fazën e testimit me shkrim.  Në testim fizik kanë kaluar 1018 kandidatë dhe kanë dështuar 301 kandidatë”, tha Mehmeti.

Për këtë pyetje pati Bekë Berisha, kryetari i Komisionit për Siguri. Ai e pyeti Mehmeti se a është plotësuar numri i rekrutëve që janë kërkuar dhe a ka ra sistemi online për disa herë.

“Lidhur me pyetjet në test jemi tu fol për rekrut, djem e vajza të ri që janë mundu. Në rekrutim nuk është qëllimi më i rrëzu të gjithë. Sa po e lëshojnë punën në Policinë e Kosovës, ky trendi i lëshimit të punës”, tha Berisha.

Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se numri është më shumë se që kanë kërkuar.

“Ne si policë nuk mundemi me bë pyetje në matematikë e gjuhë shqipe, prandaj kemi angazhu profesorë të tjerë. Ne nuk na kanë interesuar njohuri akademike. Shumë shpesh kemi pas kritika që policët nuk po dinë me shkru. Kemi mendu që duhet me pas policë që dinë me shkru shqip e që dinë matematikë mirë”, tha Mehmeti.

“Trajnerët tanë dinë me të mësu, me përdorë armë, e me arrestu persona, por jo me të mësu shqip e matematikë. Për këtë kemi konsultuar edhe partnerë ndërkombëtarë. Na kemi kërkuar pyetje logjike. Njëra nga pyetjeve ka qenë “A shkruhet Prishtina me Ë a me A?”’, tha Mehmeti.

Ai po ashtu dha sqarime edhe sa i përket sistemit online.

“Ne e kemi testuar një pesë-gjashtë herë sistemin para se me fillu testimi. Ditën e parë kemi pas problem deri sa kemi vendos rend, ditëve tjera nuk ka pas problem. Për orë e kemi caktu kohën kur me u mbajt, tash ka pas kandidatë që kanë ardh dy tri orë më herët. Mirëpo, komisioni i ka shqyrtu të gjitha ankesat. Trendi i lëshimit të punës po rritet çdo vit, nuk kam numra të saktë, por po rritet”, tha Mehmeti më tej.