Drejtori i Policisë: Kemi dërguar në vendngjarje njësi shtesë e ekspertë të ndryshëm

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti është deklaruar për media në lidhje me vrasjen e trefishtë që ka ndodhur mbrëmë në Gllogjan të Deçanit.

Sipas drejtorit Mehmeti, policia është në vendin e ngjarjes me të gjitha njësitet e po ashtu janë dërguar edhe njësi shtesë për shkak të informatave për aktin.

Gjithashtu, Mehmeti ka thënë se Policinë është duke e penguar shumë edhe moti i keq që është duke mbretëruar gjë që ka bërë që hetimet të fillojnë me vonesë.

“Policia e Kosovës është duke bërë ekzaminimet në vendin e ngjarjes. Jemi duke e bërë pastrimin e terrenit. Po e shikojmë në detaje vendin e ngjarjes dhe rrethinën. Fatkeqësisht kemi pasur mot të keq që na ka penguar gjatë krejt kohës dhe na ka pamundësuar që disa mjete teknike dhe disa mjete tjera që ndihmojnë në gjetjen e gjurmëve të ndryshme. Kemi filluar me vonesë, të gjitha njësitë janë në vend të ngjarjes por jemi duke u përballur me informacione rreth rastit dhe kemi sjellë njësi shtesë e ekspertë të ndryshëm të niveleve operative”, ka deklaruar Mehmeti.

Gjithashtu, sipas pamjeve të sotme të publikuara në vend të ngjarjes janë edhe njësia K9, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe Mehmeti në konferencë.

Tutje ai ka treguar se kanë dy-tri pista hetimesh dhe se në këtë rast mund të jenë të përfshirë disa persona.

“I kemi dy-tri pista të hetimeve. E kemi një person fillimisht por me mundësi të ndërlidhjes edhe me persona të tjerë e që mund të ketë më shumë se një i dyshuar. Mund të jenë dy-tre motive. Po njësia K9 është në terren dhe aktualisht është duke u bërë krehja e terrenit. Keni dëgjuar se mund të jetë akt terrorist nga media të ndryshme, por deri më tash s’ka asnjë provë e asgjë që na dërgon te motivi i religjionit”, ka shtuar Mehmeti.

Mbrëmë kanë mbetur të vdekur tre persona pas sulmit me kallashnikov që i është berë një autobusi që po bartte nxënës.

Të vdekur kanë mbetur shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Sipas të dhënave zyrtare ende nuk dihen motivet që kanë çuar në kryerjen e këtij akti.

Po ashtu, sipas njoftimeve të fundit të Policisë së Kosovës ende nuk është arrestuar askush ndonëse janë kryer disa bastisje që në orët e para të mëngjesit.

Drejtori i Policisë: Po hetojmë dy- tri pista për ngjarjen në Gllogjan (VIDEO)