Drejtori i Policisë Nexhmi Krasniqi fotografohet me të dënuarin për trafikim me narkotik

Nexhmi Krasniqi, ish-drejtori i Policisë së Rajonit të Prizrenit dhe tani drejtor i Policisë Kufitare, është fotografuar me një person, i i cili në vitin 2015 është arrestuar e më pas dënuar me 20 muaj burgim pasi i njëjti ishte kapur në pikën kufitare në Vërmicë me drogë.

Salmin Badallaj ishte arrestuar nga Policia më 30 gusht të vitit 2015 pasi që në veturën e tij, të cilën e kishte marrë me qira, posedonte 1 kilogram e 73 gramë marihuanë.

Fotot e realizuara e të siguruara nga KALLXO.com tregojnë afërsinë në një darkë mes Nexhmi Krasniqit dhe të dënuarit për narkotik Salmin Badallaj.

 

KALLXO.com ka kontaktuar me Badallajn, i cili tregoi se në moshë të mitur ka kryer vepra të shumta penale madje edhe kontrabandë.

Ai mohoi se ka lidhje familjare apo shoqëri me Krasniqin derisa shtoi se i kishte kërkuar që të bënin një fotografi së bashku.

Por në fotografinë e publikuar shihet se Badallaj zë vend menjëherë në karrigen ngjitur me atë ku ishte ulur drejtori i Policisë Kufitare, Nexhmi Krasniqi.

“Kam qenë në burg, i kam mbajt dy vjet. Tash jam i pastër si loti. Njëherë jam marrë me kontrabandë, pak e kam vuajtur dënimin, jam dënu me dy vjet, e dyta kam pasur telashe, jemi plagosur me disa e më kanë plagos edhe këtë e kam vuajtur dënimin”, tha Badallaj për KALLXO.com.

“Jo nuk kam asnjë lidhje familjare me të. Vetëm ja kam ni zanin Nexhmi Krasniqit dhe kam dashtë me bo foto me të. Ata janë duke ngranë darkë dhe jam afru i kam thënë a bon me bo një foto. Unë kam qëlluar në të njëjtin restorant që kanë qenë edhe ata dhe kam shku e kam bërë një fotografi. Nuk më ka njoftë z. Krasniqi. Ai me pas ditë nuk më kish lanë as me u afru”, vazhdoi ai.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka biseduar edhe me vetë drejtorin e Policisë Kufitare, Nexhmi Krasniqin.

“Unë nuk e njoh atë. Unë po të tregoj se nuk e njoh. Unë kam qenë me disa shokë të mi ata kanë mujt me e njoftë. Unë nuk e di as kush është. Ngado që shkoj mu më thonë a bon me bo një foto por më beso unë nuk e njoh atë, sinqerisht”, tha ai.

Ai madje tha se darka në njërin nga restorantet në Vërmicë ishte shtruar dhe ishte ftuar nga një mik i tij.

“Unë mundem me kanë me shoqni e kënd e bijnë ata unë nuk muj me pyet kush është ai sepse nuk është punë e imja. Edhe tek e fundit na nuk kemi qenë në uniformë por si civil dhe kam qenë në një darkë të një miku dhe nuk mundem me ditë kush është ai apo tjetërkush”, vazhdoi shpjegimin Krasniqi për KALLXO.com.

Nexhmi Krasniqi mohoi se kishte ditur ndonjëherë se Salmin Badallaj ka qenë i dënuar për drogë dhe që i njëjti në vitin 2015 i ishte larguar Policisë Doganore duke tentuar t’i shmangej kontrollit të veturës.

“Shiqo, është shumë e vërtetë që ky më është afru sepse nuk ka qenë në tavolinën tonë. Më ka thënë se dëshiroj të bëj një fotografi, por unë sinqerisht po të them se unë nuk e kam njohur këtë person. Për-besë nuk e kam ditur që ka qenë i dënuar për trafikim me narkotik. Unë absolutisht nuk e njoh këtë person. Ky ka ardhur dhe dy të tjerë që nuk i kam njoftë dhe kanë thanë a bën me bo një foto me drejtorin por absolut nuk e njoh”, shtoi ai.

KALLXO.com, dy vite më parë kishte raportuar edhe për një rast tjetër ku Atdhetar Rexhepi, i arrestuar para disa vitesh nën dyshimin për falsifikim të lejeve të armëve, kishte publikuar me datën 12 qershor 2018 një fotografi me drejtorin rajonal të Policisë, Nexhmi Krasniqi.

Ani pse shiheshin në një objekt kafeneje, Krasniqi edhe njohjen me Atdhetar  Rexhepin e kishte mohuar duke thënë se nuk e kishte njohur.

Publikohet fotografia e drejtorit të Policisë me të dyshuarin për falsifikim të lejeve të armëve

Nexhmi Kraniqi vitin e kaluar ka marrë pozitë të re duke u bërë drejtor i Policisë Kufitare.

Drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, dërgohet në Policinë Kufitare

Në fillim të këtij viti, Nexhmi Krasniqi ishte intervistuar për të parën herë më shumë se dy orë nga Policia e Kosovës në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Krasniqi saktësisht është marrë në pyetje për një deklaratë të cilën e kishte dhënë ditën e vdekjes së Astrit Deharit më 5 nëntor 2016, i cili kishte thënë se Astrit Dehari kishte përdorur medikamente të cilat i kishin shkaktuar vdekjen.

Përfundon intervistimi i Nexhmi Krasniqit rreth vdekjes së Astrit Deharit

Nexhmi Krasniqi pranon se deklaroi se Astrit Dehari piu medikamente