Drejtori i Policisë flet për kërcënimin ndaj Kurtit nga ‘Garda Vullnetare Shqiptare’

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pak minuta më parë ka njoftuar se është kërcënuar nga një organizatë që veten e quan “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Lidhur me këtë kërcënim KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë për KALLXO.com se rastin e kanë pranuar gjatë ditës së sotme.

“Rastin e kemi pranuar sot. Jemi duke e trajtuar dhe jemi duke shikuar se çka mundemi të ndërmarrim”, ka thënë Qalaj.

Tutje, drejtori i Policisë ka treguar se janë duke kontaktuar edhe me kompaninë Facebook, duke pasur parasysh se kërcënimi është bërë përmes këtij rrjeti social.

“Gjithashtu jemi duke kontaktuar edhe me Facebook sepse kërcënimi është bërë me anë të këtij rrjeti social”, ka thënë Rashit Qalaj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se është kërcënuar nga një grup që veten e quan “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Kurti ka publikuar në Facebook një komunikatë të këtij grupi.

Tutje, Kurti ka thënë se ky kërcënim nuk është ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të japë vendimin rreth dekretit të presidentit Thaçi lidhur me nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Për këtë kërcënim Kurti thotë se vjen nga “regjimi i vjetër”.