Foto: KALLXO.com

Drejtori i Policisë: Droga e konfiskuar në Lipjan ishte nisur nga Brazili

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media ka dhënë detaje për aksionin e sotëm të Policisë, gjatë të cilit sot u konfiskuan rreth 400 kilogramë kokainë.

Mehmeti tha se Policia e Kosovës ka marrë informacione më 3 maj të këtij viti se një dërgesë është nisur nga Brazili dhe dyshohet se ka narkotikë.

“Me datën 3 maj Policia ka pranuar informacion se një dërgesë është në një port italian dhe është ndalur në portin e Durrësit nga Brazili dhe ka dyshime që ka narkotike dhe gjatë komunikimit është arritur pajtueshmëria për përcjelljen e kësaj ngarkese nga Italia në Shqipëri dhe deri në Kosovë dhe në koordinim me këto shtete janë marrë masa të fshehta dhe është bërë përcjellja e dërgesës”, tha ai.

Mehmeti tha se ngarkesa nga Shqipëria ka ardhur në Kosovë më 15 maj dhe është ndalur në depon e një kompanie. Sipas tij ngarkesa është mbikëqyrur nga Policia e Kosovës me qëllim të gjetjes së personave të dyshuar.

“Të dyshuarit sot kanë filluar aktivitetin kriminal dhe e kanë tërhequr pakot dhe Policia ka ndërhyrë me njësitë speciale dhe kanë arrestuar të dyshuarit. Aty janë gjetur 400 kg kokainë dhe janë konfiskuar edhe disa vetura”, tha ai.

Në fund, Mehmeti tha se janë 7 shtetas të Kosovës të cilët janë të dyshuar në këtë rast, ndërsa hetimet janë ende duke vazhduar dhe aksione në kërkim të personave që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi.