Drejtori i Policisë: Dënimet e ulëta, një nga faktorët që po ndikon në aksidente

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se është bërë një analizë e cila ka vënë në pah shkaktarët kryesor të aksidenteve të cilat po ndodhin në komunikacionin rrugor.

Njëri nga faktorët, sipas drejtorit Mehmeti, është edhe mbyllja e qytetarëve, cila ka qenë masë për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Policia është me dy operacione aktive. Është një operacion në gjithë vendin që quhet siguria në komunikacionin rrugor. Në këtë operacion janë të kyçura të gjitha njësitet e trafikut”, tha Mehmeti.

Ai madje tregoi se në ndihmë kanë dalë edhe njësitet speciale por edhe policia po kontrollon gjendjen e komunikacionit rrugor edhe me paisje të sofistikuara siç janë dronët.

Mehmeti tha se vetëm këtë vit janë shënuar mbi 170 mijë tiketa trafiku për shkelësit e rregullave në komunikacion.

“Sot kemi pasur mbledhje të Këshillit të Sigurisë për Komunikacionin Rrugor, janë ndarë përgjegjësitë se çka dhe si duhet të veprohet. Janë disa masa afatmesme që do të ndërmerren ditëve në vijim”, tha ai.

Mehmeti tha se janë duke punuar që të sigurojnë mjetet e digjitalizuara për mbikëqyrjen e trafikut rrugor.

“Ne si polici mendojmë që dënimet e ulëta që po marrin qytetarët nga shkaktimi i aksidenteve me fatalitet, është njëri nga faktorët që po ndikon në aksidente”, tregon tutje ai.