Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së konfirmon suspendimin e Mentor Shalës

Drejtori i Përgjithshëm Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmexhekaj ka konfirmuar suspendimin e Mentor Shalës nga Televizioni Publik për 6 muaj dhe me 50% të pagës.

Ahmexhekaj në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se ai nuk ka ndërhyrë tek komisioni disiplinor, ashtu siç ka pretenduar Shala, në postimin e tij në Facebook.

“Në këtë rast nuk ka të bëjë me presion të jashtëm ose të brendshëm, unë e kam thënë që e kam qëllim me vendos ligjshmëri, si drejtor kam thënë se do të marr masa ndaj pretendimeve që është bërë një shkelje. Në ketë rast kemi të bëjmë me 3 persona në cilësi të ish-menaxhereve, e për të cilët komisioni disiplinor ka marrë vendim për suspendim për 6 muaj, 50%  pagesë, nuk kam bërë presion, faktet janë evidentuar nga komisioni dhe është marrë vendim. Nuk mund të zbuloj emrat e atyre që janë suspenduar, z.Shala ka dal publikisht”, tha ai.

Ahmexhekaj ka treguar se për cka bëhet fjalë, e që ka çuar deri tek suspendimi.

“Kemi të bëjmë me një kontratë që ka hyrë në mënyre retroaktive në sistem të RTK-së dhe po ashtu edhe në librin e protokolit, e cila i ka mundësuar njërit që të përfitojë më shumë financiarisht”, theksoi ai.

Të premtën gjatë ditës, ish-drejtori i RTK-së, Mentor Shala ka njoftuar se është suspenduar nga puna e tij në RTK.

Ai e ka akuzuar kryetarin e Bordit të RTK-së, Besnik Boletinin dhe drejtorin Shkumbin Ahmexhekaj për presion ndaj bordit.

Ai madje ka thënë se ka dëshmi për qëllimin e të lartcekurve për ta larguar nga puna.

“Që 7 muaj, nuk kanë mujt me u ba rahat, kryetari i Bordit të RTK-së, drejtori i Përgjithshëm e le ma ud. zv/drejtori i Përgjithshëm, që ka probleme serioze me veten e tij, derisa ta gjejnë rrëfimin me përmbush misionin, me m’ hjek mu prej RTK-së.   “Ose duhet me hjek Mentorin ose ecni ju”, këtë mesazh e kanë pas Bordi dhe drejtori i Përgjithshëm”, ka shkruar ai në postimin në Facebook.

Për pretendimet e Shalës, KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Bordit të RTK-së, Besnik Boletinin i cili ka mohuar të ketë pasur ndonjë ndikim.

“Këto janë çështje me të cilat merret menaxhmenti dhe jo bordi. Nuk e kam pas mundësi me lexu se çfarë ka deklaruar z. Shala dhe se nuk e di për çfarë shkeljesh mund te dyshohet. Ajo çka mund te them është se kushdo ka bere shkelje, duhet te trajtohet konform dispozitave ligjore ne fuqi dhe rregullat ivës se brendshme te RTK-së”, ka thënë Boletini.

Akuzat e Mentor Shalës rreth suspendimit të tij, flet kryetari i Bordit të RTK-së Besnik Boletini