NGO Aktiv

Drejtori i OJQ 'Aktiv' Miodrag Miliçeviq tregon verzionin e tij për rastin me Policinë

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Aktiv” Miodrag Miliçeviq gjatë ditës së sotme ka ndarë detaje për raportimet se ishte sulmuar nga zyrtarë policor në Jarinjë. Ai tha se fillimisht ka parë spekulime në lidhje me rastin e tij për të cilat i quajti keqkuptime.

Organizata që drejton Miliçeviq ka bërë të ditur se ky i fundit tri ditë më parë  ka pasur abuzim fizik dhe verbal nga ana e zyrtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës.

“Të hënën në mëngjes isha në rrugë për Sarajevë ku do të merrja pjesë në një ngjarje ndërkombëtare dhe në afërsi të Leshakut u takova me kolonën e veturave të Policisë së Kosovës dhe një tjetër veturë që ishte e para dhe e blinduar”- deklaroi Milliqeviq.

Ai shton se ishte duke vozitur në një zonë ku lejohet shpejtësia 80 kilometra në orë.

Miliçeviq thotë se fillimisht ka dashur të tejkaloj veturën e fundit të policisë pasi ishte duke udhëtuar drejtë Sarajevës përmes pikës kufitare Jarinje.

“Jam munduar që të tejkaloj veturën e fundit dhe një veturë më ka ndaluar dhe më kanë thënë që tejkalimi nuk është i mundur dhe nuk kam tentuar asnjëherë më të tejkaloj veturën në fjalë”- shton tutje ai.

Nga një zyrtar policor Miliçeviq thotë se ka marrë urdhër që të mbajë distancë nga kordoni i veturave policore dhe njëjtë ka vepruar ai.

“Ata më kanë thënë që të ndalem, njëri është afruar afër veturës ka folur shqip dhe nuk e kam kuptuar, i thash që nuk e kuptoj gjuhën. I dyti nga ata tre më është drejtuar në gjuhën serbe me tonin e ngritur m’i ka kërkuar dokumentet dhe më ka kërkuar të dalë nga vetura” – tha Miliçeviq.

“Me një koment të thjeshtë u kam thënë që nuk ka nevojë për tensione ai më është kthyer me ‘mbylle gojën’- tregon ai.

Miliçeviq deklaroi se njëri nga zyrtarët policor e ka goditur me grusht.

“Polici ka kthyer kokën në anën e majtë dhe djathtë e shikoi a ka dëshmitarë dhe më ka goditur dy herë nën brinjë. Pas atij grushtimi mund të prisni gjithçka dhe unë besova që edhe pse bëhet fjalë për njësi speciale nuk do të vinte gjendja deri aty”- shtoi tutje ai.

Milliqeviq thotë se ai ka kryer edhe disa kontrolle në Novi Pazar e më pas është kthyer në Kosovë.

“Kam shkuar edhe në spital që të kontrollohem në lidhje me shëndetin. Publikimi policisë që rasti nuk ka ndodhur ka pasur arsyetim që të mohoj këtë për shkak të situatës”- shtoi tutje ai.

Miliçeviq, tha se së bashku me organizatën që drejton do të themelojnë edhe një linjë e cila do të pranoj thirrje nga qytetarët për të marrë mbështetje dhe që të orientojnë se ku të raportojnë incidentet që u ndodhin.

Mirëpo, këto pretendime janë mohuar nga Policia e Kosovës, e cila thotë se ky pretendim nuk qëndron dhe është i pavërtetë.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë ndaj Miliçeviqit.

Ministri Sveçla për pretendimet e Miliçeviqit: Nuk ka ndodhur asnjë problem, incident e aq më pak dhunë