Drejtori i KPM-së i arrestuar për ryshfet, deklaroi mbi 90 mijë euro nëpër banka

Drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur për Media Arben Bilalli, është arrestuar me dyshimin se ka kërkuar 8 mijë euro nga pronari i një biznesi.

Ai u arrestua pas dyshimeve se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

Bilalli është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.

Ai në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se ka mbi gjysmë milioni euro pasuri.

Përpos shtëpisë, dy banesave, një parcele të tokës, ai ka deklaruar se së bashku më bashkëshorten e tij kanë para të gatshme mbi 93 mijë euro nëpër banka.

Komisioni i Pavarur për media është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (Televizionet dhe Radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.