Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

 Drejtori i Komunës së Prishtinës ftohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar

Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj, është ftuar dje nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Mehmetaj sot në ‘Facebook’.

Ai ka njoftuar se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Do t’i përgjigjem kësaj thirrje me krenari, edhe pse vazhdoj me mendu që kjo gjykatë është e padrejte dhe e njëanshme”, ka shkruar Mehmetaj.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi se Zafir Berisha, ish deputet i partisë NISMA është ftuar nga Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.