Drejtori i Klinikës Emergjente flet për gjendjen e të plagosurve në Prishtinë

Drejtori i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka dhënë detaje për KALLXO.com lidhur me gjendjen e dy personave që janë plagosur sonte rreth orës 20:20 në rrugën “Qamil Hoxha” në Prishtinë.

Syla ka bërë të ditur se të plagosurit janë në gjendje stabile.

“Janë dy të plagosur por në gjendje stabile. Njëri sipas të gjitha gjasave do të pranohet në Klinikën e Ortopedisë” – ka njoftuar Syla, i cili ka thënë se njëri nga ta është plagosur me mjet të mprehtë kurse tjetri me armë zjarri.

Ai ka bërë të ditur se të plagosurit janë rreth moshës 21-23 vjeçare.

Ndërkaq, lidhur me këtë rast, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të personave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e Policisë.