Drejtori i IKSHP: Nëse nuk përfillen rekomandimet, do të merren masa më të ashpra

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, sot tha se nëse IKSHPK e sheh që qytetarët nuk po i përfillin rekomandimet, siç janë mbajtja e distancës fizike, higjiena personale dhe mbajtja e maskave, atëherë do të marrë masa më rigoroze deri në përkufizime të ndryshme të lëvizjes apo qarkullimit.

“Këtë e kemi për hir të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të Kosovës”, tha Ramadani.

Ai më tutje u shpreh që virusi nuk e ka efektin e njëjtë si në fillim, por nëse e merr një qytetar, atëherë, sipas tij, i ka pasojat e njëjta.

“Virusi është i njëjti, problemi është që ne duhet të ruhemi”, deklaroi Ramadani, shkruan rtv21.tv.

Ai tha se ne duhet te mësohemi me normalitetin e ri, që nënkupton që duhet të sillemi ndryshe.

E kjo sipas Ramadanit është e mundur duke i respektuar rekomandimet.

“Nuk është problemi i rikthimit të gjendjes çfarëdo qoftë ajo, problemi është se ky rikthim i gjendjes shkakton viktima. Ne do të kemi viktima për shkak të pakujdesit të qytetarëve”, shtoi më tutje Ramadani.

Nga koronavirusi në Kosovë janë infektuar 1 mijë e 194 persona, 884 janë shëruar, ndërsa, 31 persona kanë vdekur, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. /21Media