Drejtori i Hetimeve, Riza Shillova

Drejtori i Hetimeve në Polici flet për deklaratën e Nexhmi Krasniqit se Astrit Dehari vdiq nga medikamentet

Në emisionin e sotëm në “Jeta në Kosovë” po diskutohet në lidhje me vdekjen e mistershme të ish- aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Për këtë çështje në panel ishte edhe Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova i cili foli lidhur me deklaratën e ish- shefit të Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqit.

Krasniqi më 5 nëntor 2016 kishte thënë për KALLXO.com se në vdekjen e Astrit Deharit dyshohet  përdorimi i medikamenteve.

“Unë e dëgjova kronologjinë dhe deklaratën e parë zyrtare të policisë, nuk qëndron një deklaratë e tillë, në fakt  a ka mujt me thanë dikush në atë moment se si pasojë e përdorimit të barnave pasi që informacioni është marrë përmes telefonave nga zyrtarë të ndryshëm në këtë rast nga qendra e paraburgimit në qendrën për thirrje të policisë është e mundur, por në raporte zyrtare nuk është trajtu si rast i tillë. Rasti është trajtuar si vdekje e dyshimtë. Jo nuk e mohoj, por në raporte zyrtare të policisë nuk kemi zyrtarisht raport, sepse ne kemi raportin e parë raportin e shpejtë…”,”, tha Shillova.

Ai tregon tutje se kanë pyetur edhe ish- shefin e Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqin nëse ky i fundit ka deklaruar diçka të tillë.

“Nuk mundem me paragjyku gjërat, hetuesit janë zyrtarë.. Nuk e di nëse ka thënë, nuk e kam dëgjuar atë deklaratë por e kam parë në media. E kemi pyetur edhe Nexhin edhe ka thënë se nuk ka deklaruar ashtu”, shtoi ai.

Për këtë temë sonte flasin: Besim Kelmendi, Prokuror; Riza Shillova, Policia e Kosovës; Hilmi Jashari, Ombudsperson; Rifat Marmullaku ,OSBE; Fatmire Haliti, QKRMT dhe  Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë:

 

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Ky institut pas analizimit të të gjitha provave dhe pas pranimit të dosjeve me dëshmi e deklarata për vdekjen e Astrit Deharit, në raportin e dërguar në Kosovë në muajin tetor, nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.