Drejtori i Gjinekologjisë: Kemi pasur vërejtje nga Inspektorati Sanitar për lyerje të thonjve nga personeli

Gjatë vitit të kaluar Inspektorati Sanitar ka lëshuar vërejtje ndaj një pjese të stafit shëndetësor të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur në emisionin “Kallxo Përnime” drejtori i kësaj Klinike, Jakup Ismajli.

Ai thotë se gjatë inspektimit inspektorët kanë parë persona nga stafi shëndetësor të cilët nuk kanë vendosur kapela, kanë bartur unaza si dhe disa prej tyre kanë qenë edhe me thonj të ngjyrosur.

“Kanë bërë vërejtje për përdorimin e maskave, kanë bërë vërejtje tek personeli për bartjen e unazave, ngjyrosjen e thonjve, përdorimin e kapelave. I kemi pasur disa vërejtje të cilat brenda një kohe i kemi pasur një afat për t’iu përgjigjur”, thotë drejtori, përderisa thekson se të gjithë këto rekomandime janë korrigjuar.

Përveç  kësaj, Jakup Ismajli tregon se Inspektorati po ashtu ka gjetur parregullsi edhe në higjienë dhe në bartjen e dezinfektuesve.

“Motra kryesore gjithë Klinikën e viziton”, thotë drejtori përderisa mundohet të arsyetojë gjetjet e Inspektoratit.

Në anën tjetër drejtori potencon se për rreth tri vite sa është duke e menaxhuar këtë Klinikë, ka dhënë 20 deri në 30 vërejtje ndaj stafit ndërsa thotë se deri më tani nuk e ka larguar asnjë nga puna.