Drejtori i burgjeve: Stafi mbi 60 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore do të shkojnë në pushim (VIDEO)

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaqi në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se njëri prej vendimeve për parandalimin e përhapjes së virusit corona është edhe që stafi mbi 60 vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore, të shkojnë në pushim.

“Vendimet e fundit janë që i gjithë stafi që është mbi 60 vjeç të shkojë në pushim dhe stafi që ka probleme shëndetësore të shkoj në pushim”, ka thënë Thaqi për KALLXO.com.

Drejtori Thaqi ka thënë se qysh prej të enjtes është marrë vendim që të ndalohen të gjitha vizitat familjare dhe transferimet e të burgosurve.

“Kemi instaluar rrjetin ku të burgosurit mund të kontaktojnë me skype me familjarë të tyre. Kemi pajisur stafin dhe të burgosurit me maska, dorëza dhe dezinfektues. Këto kanë qenë masat që kemi ndërmarrë të enjten”, ka thënë Thaqi.

Ai ka njoftuar që është vendosur edhe një karantinë, për të gjithë të burgosurit që mund të shkojnë në gjykatë dhe kanë kontakte me persona të tjerë.

Interviste: Nehat Thaci

Interviste: Nehat Thaci

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 15 mars 2020

“Ata ku të kthehen në burg do të hyjnë në karantinë”, ka potencuar Thaqi.

“Sigurisht familjarët dhe të burgosurit kanë nevojë të kënë informacio shtesë rreth gjendjes. Kemi marrë disa vendime që janë parandaluese për infektime të të burgosurve apo të stafit tonë. Masat shtesë janë për të mirë të stafit. Disa masa të tjera, sot gjatë ditës do të dalim me vendime shtesë në të mirë të të burgosurve.

Me të dëgjuar që ky virus ka filluar të përhapet, Thaqi ka thënë se kanë dezinfektuar të gjitha objektet dhe oborret e burgjeve.

Ai ka thënë se kanë shpërndarë pajisje mjekësore edhe te të burgosurit.

“Pjesa e ushqimit pjesa e medikamenteve janë të mbuluar në mënyrë profesioanle. Unë ftoj që edhe të burgosurit edhe familjarët e tyre që të kenë kujdes por të mos bëjnë panikë sepse ne kemi një staf profesional dhe mburrem me ta. Ne kemi marrë të gjitha masat që një situatë e tillë si në Itali të mos ndodh”, ka përfunduar Thaqi.