Drejtori i AUV tregon çka prodhohet nga fabrika e cila përpunon mbetjet shtazore

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu, ka folur për funksionin e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore për të cilën janë investuar rreth 10 milionë euro.

Sipas tij, fabrika e cila nuk po arrin të funksionalizohet që disa vite me radhë, është e dizajnuar të bëjë asgjësimin e kafshëve të ngordhura.

Kadriu ka thënë se kjo fabrikë do të bëjë përpunimin e mbetjeve shtazore që përfshijnë kafshët e ngordhura, kafshët e sëmura por të dyshimta, apo pjesë të këtyre kafshëve që nuk mund të mbarojnë në zinxhirin ushqimor më tutje.

“Në rast epidemie p.sh. kjo fabrikë do të kryente punën kryesore, mbetjet e këtyre kafshëve nuk guxojnë të mbarojnë në zinxhirin ushqimor më tutje. Faktikisht kjo fabrikë është e dizajnuar për asgjësimin e kafshëve të ngordhura e të sëmura” – ka thënë tutje ai.

Drejtori i AUV-it tutje ka treguar se çfarë prodhohet nga mbetjet e këtyre kafshëve të sëmura e të ngordhura.

“Te kategoria një prodhohet vaj i atyre kafshëve, dhe miell i eshtrave dhe mishit. Në jetë të përditshme ai vaj guxon të përdoret vetëm për industri, makineri etj.” – ka thënë ai.

Ndërsa, sipas tij, mbetjet e kategorisë dy që përfshijnë traktin digjestiv të kafshëve të shëndosha mund të përdoren si fertilizues apo plehra artificialë.

“Kategoria e tretë është kategori që përfitohet prej materialeve që dalin prej kafshëve të shëndosha, kur kafshët theren në thertore. Eshtrat, lëkura e kafshëve të shëndosha. Prej tyre mund të prodhohen produkte medicinale, kozmetika, ushqimi për kafshë” – ka shtuar ai.