Drejtori i ATK-së tregon benefitet e punëtorëve me kontrata

Ilir Murtezaj, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, ka treguar në emisionin “Kallxo Përnime”, për benefitet e punëtorëve të regjistruar dhe pasojat e atyre që nuk figurojnë të regjistruar në ATK.

“Puna të cilën ata e kryejnë nuk u figuron askund, nuk u llogaritet përvoja e punës, nuk u paguhen detyrimet tatimore dhe as kontributet pensionale. Përpos këtyre punëtorët nuk kanë mundësi as të ndërmarrin hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë”, kështu ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Sipas tij, punëtorët e regjistruar përfitojnë benefite të caktuara përderisa ata që nuk kanë kontratë pune dhe nuk deklarohen në institucione nuk mund të jenë përfitues të këtyre benefiteve.

Ai u bëri thirrje të gjitha bizneseve që t’i deklarojnë punëtorët e paregjistruar.

Sonte në emisionin “Kallxo Përnime” u shfaqën pamje të aksionit të inspektorëve tatimorë për verifikimin e deklarimit të punëtorëve.

Si rezultat i këtij aksioni të ATK-së u konstatua se informacionet e qytetarëve ishin të sakta dhe se në këtë rajon kishte punëtorë pa kontrata pune.

Gjatë aksionit, inspektorët tatimorë i urdhëruan bizneset që brenda ditës t’i regjistronin punëtorët dhe t’i dërgonin kontratat e tyre në sistemin e ATK-së.

“I nderuar, punëtorit duhesh me ia bo një kontratë, në qoftë nevoja edhe si praktikant, po në asnjë mënyrë nuk guxon me punu pa qenë i regjistruar. Unë ta lë këtu një email, të cilën deri në ora 3:00 ma dërgon kontratën e punës për punëtorin”, urdhëroi inspektori Besart Dedinca.

Inspektimi i ATK-së në Drenas dhe Skenderaj përfundoj me zbulimin e disa punonjësve të paregjistruar si dhe u konstatuan shkelje të rënda tatimore si mungesa e librave fiskalë, arkës fiskale dhe mosregjistrimi i biznesit.

Gjatë këtyre viteve të fundit, KALLXO.com është angazhuar në luftimin e ekonomisë joformale në vend.

KALLXO.com në bashkëpunim me qytetarët dhe ATK-në kanë arritur që buxhetit të shtetit t’ia shtojnë mbi 200 mijë euro në buxhet.

Si rezultat i raportimeve të qytetarëve mbi 200 biznese janë zënë duke shkelur rregullat tatimore, mbi 50 punëtorë kanë marrë kontrata pune pasi ishte konstatuar se nuk ishin deklaruar nga punëdhënësi dhe shumë personave ka filluar t’u paguhet Trusti Pensional.