Drejtori i ATK-së prezantoi raportin për 6 mujorin e parë 2021

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arritur të ketë rritje në realizimin e të hyrave duke tejkaluar përreth 18% apo për 44.1 milionë euro planin e të hyrave.

Në konferencën e mbajtur sot për media, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë se pjesa e parë e 2021 ishte një periudhë e sfidave, mirëpo pavarësisht kësaj në kushte të pandemisë janë zhvilluar një mori të aktiviteteve të shumta.

“Përkundër që kemi punuar në kohë të pandemisë janë zhvilluar një mori të aktiviteteve të shumta në  drejtim të reformave brenda institucionit të ATK-së, ku me theks të veçantë është ngritja e llogaridhënieve dhe përgjegjësisë së stafit, sidomos te stafi operativ”, tha Murtezaj.

“Të hyrat gjatë periudhës janar-qershor ATK ka arritur një rekord në realizimin e objektivës së saj në planin bazuar në ligjin e buxhetit duke arritur të tejkaloj rreth 18 % në raport me planin dhe të tejkalonte të hyrat në vitin 2020, përreth 74.3 milionë euro”, ka thënë Ilir Murtezaj.

ATK sipas Murtezajt ka realizuar 293 milionë euro dhe rreth 100 milionë kontribute pensionale dhe në vitin 2020 ka pasur rënie në krahasim me vitin 2019 ku kanë qenë të inkasuara vetëm 216 milionë euro.

Drejtori tha që ATK ka pasur një rritje për 30% të qarkullimit të bizneseve të deklaruara apo ndryshe rreth 1 miliardë euro.

“Ky është një indikacion për ekonominë e vendit dhe tregon se kemi nisur t’i kalojmë vështirësitë e pandemisë dhe kemi trende pozitive”, ka thënë më tutje Murtezaj.