Foto ilustruese: Pixabay

Drejtori i ATK-së: Ka këngëtarë që kanë deklaruar se i kanë marrë 500 euro për ndejë, e çmimi shkon deri në 10 mijë

Administrata Tatimore e Kosovës, (ATK) ka njoftuar se së shpejti do të fillojnë vlerësimet tatimore (kontrollet) për të evidentuar fitimet gjatë sezonit të verës nga fushat si gastronomia/hoteleria, këngëtarët si dhe sallonet e bukurisë.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj u ka bërë thirrje këtyre bizneseve që të deklarojnë fitimet brenda afateve të vendosura nga ky institucion.

“I bëjmë thirrje që deri në afatet e rregullta me datën 20 të muajit shtator dhe 15 tetor, të deklarojnë dhe paguajnë obligimet tatimore, pasi që pas këtyre afateve, veprimet e ATK-së nuk do të jenë më thirrje por veprime konkrete” – tha drejtori i ATK-së, Murtezaj.

Ai shtoi se disa nga problemet me të cilat po ballafaqohen janë mos deklarimi real i fitimit apo mos deklarimi fare.

Madje shtoi se ka raste kur këngëtarë të njohur në Kosovë kanë deklaruar vetëm 500 euro fitim nga një ndejë.

“Ka raste të tilla kur një këngëtar që është me reputacion në estradën tonë ka deklarim 400-500 euro për një ndjejë, ku aty dihet edhe nga informatat që i kemi se për ndeja të tilla çmimet shkojnë deri në 10 mijë euro. Kjo është diskrepancë e madhe, por kemi edhe të tillë që kanë deklaruar ashtu siç kanë fituar” – tha Murtezaj.