Drejtori i ATK-së flet për mosshkarkimin e zyrtarit me aktakuzë për korrupsion

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur konferencë për media në të cilën ka shpalosur rezultatet e punës gjatë vitit 2019 dhe objektivat dhe sfidat për periudhën 2020 dhe 2021.

 

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj gjatë konferencës tha se viti 2019, ka qenë vit i suksesshëm për ATK-në, pasi për herë të parë kanë mbledhur mbi 500 milionë euro.

“Njëri ndër objektivat kryesore për matjen e performancës së ATK-së, janë të hyrat, gjatë vitit 2019. Ne si institucion për herë të parë kemi arritur të tejkalojmë shifrën e mbi gjysmë miliardi euro të hyra tatimore të inkasuara, ose saktësisht 504.5 milionë euro të inkasuara tatime. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak kemi 10.4 përqind ose 47.4 milionë euro më tepër se sa gjatë vitit 2018”, tha Murtezaj.

Ai tha se sukses tjetër i ATK-së, është edhe mbledhja e borxheve, pasi sipas tij kanë mbledhur 33.4 milionë euro borxhe më tepër se vitin 2018-të.

“ATK ka inkasuar 108.1 milionë euro borxhe, nëse kjo krahasohet me periudhën e vitit 2018 kemi 44.7 % inkasim me të lartë të borxheve se sa vitin 2018 ose 33.4 milionë euro më tepër”, tha i pari i ATK-së, Ilir Murtezaj.

Ai shtoi se viti 2019 ka qenë vit i suksesshëm edhe sa i përket konfiskimeve pasi ATK, ka zhvilluar 579 raste të konfiskimit.

Pas shpalosjes së punëve i pari i ATK-së, njoftoi se në bashkëpunim me FMN-në, kanë hartuar një plan të punës, i cili ka për prioritet reformën në mbledhjen e borxheve.

Gjatë konferencës drejtori Murtezaj u pyet se a është duke e dëmtuar imazhin e ATK-së, fakti se në këtë institucion po vazhdon të punojë një zyrtar i lartë i cili po akuzohet për vepra korruptive.

Lidhur me këtë pyetje Murtezaj u shpreh se ka marrë veprime, mirëpo nuk ka pranuar akoma përgjigje nga Ministria e Administratës Publike nga e cila ka pranuar interpretim.

I pyetur nëse po mblidhen taksat edhe në veri të vendit, drejtori i ATK-së, deklaroi se njëri nga tatimpaguesit më të mëdhenj në Kosovë është nga zona veriore.