Sazan Ibrahimi, Asociacioni i Komunave të Kosovës

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës flet pas takimit në Ambasadën e SHBA-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier sot ishte nikoqir i disa personaliteteve të Kosovës, duke përfshirë  politikanë e përfaqësues të shoqërisë civile. Tema kyçe e takimit në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Në këtë takim, i cili zgjati disa orë, ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi.

Ai për KALLXO.com tha se takimi ishte konstruktiv ndërsa tregoi se tre çështje ishin kryesoret që u diskutuan.

“Unë mund të them se ishte një takim shumë konstruktiv ku janë dëgjuar palët e ndryshme për atë se çfarë mendojnë për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është biseduar sa i përket asaj se si mund të funksionoi ky Asociacion në praktikë, si mund të funksionoi Asociacioni sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe si mund t’i trajtoj një mekanizim i tillë çështjet që kanë të bëjnë me shëndetësi, arsim dhe me zhvillim ekonomik” – deklaroi Ibrahimi për KALLXO.com.

Tutje, Drejtori i AKK-së tha se në takim është vërejtur një gatishmëri për të gjetë zgjidhje për çështjen e Asociacionit.

“Kishte vullnet për të ardhmen, u shihte që ka vullnet për zgjidhjen e problemeve nga të dyja palët por tash njëra palë reflektonte më ndryshe e tjera më ndryshe. Ne i dimë qëndrimet e Qeverisë por ishin edhe përfaqësuesit e minoritetit serb, edhe nga pjesa veriore por edhe pjesa tjetër, por me rëndësi që ka vullnet për me bisedu dhe me gjetë një rrugë që e çon Kosovën përpara” – deklaroi ai.

“Po shihet që ShBA-ja janë djepi i demokracisë dhe mund të marrim shumë praktika institucionale sesi duhet të zhvillohet dialogu për përmirësimin e situatës e cila është duke i brengosur shtetin e Kosovës për disa vite” – tha Ibrahimi.

Ndërkohë, pas takimit është deklaruar shkurt edhe Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier: Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut