Drejtori i AKI-së u ftua në raportim, deputetët e Vetëvendosjes bojkotuan mbledhjen e komisionit

Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti ka raportuar në Komisionin parlamentar, sot më 10.10.2024. 

Për shkak të mungesës së kuorumit, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka mbajtur vetëm seancë dëgjimore, pa praninë e mediave. 

Këtë mbledhje të Komisionit parlamentar e kanë bojkotuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi nuk u pajtuan me pikat e rendit të ditës.

Deputeti nga radhët e kësaj partie, Salih Zyba, u përplas me kryetaren e këtij komisioni, Ganimete Musliu për çështje procedurale. Ai kërkoi mediat të jenë të pranishme gjatë mbledhjes, por drejtori i AKI-së të mos qëndronte aty derisa të diskutoheshin temat e tjera. 

“Propozimi konkret ishte që të qëndrojnë mediat, me vullnet të shumicës, por s’e more hiç parasysh … E ke thirrë mbledhjen e një komisioni të ndjeshëm, të rëndësishëm me propagandën e sms-va … Nuk mund të qëndrojë me ta ba argatin e padinjitetshëm”- i reagoi Zyba Musliut. 

 Më pas edhe deputetët e tjerë të Vetëvendosjes lëshuan mbledhjen, ndërsa në mungesë të kuorumit, Musliu tha se mbedhja të kalojë në seancë dëgjimore. 

“Në mungesë të kuroumit të komisionit, në bazë të ligjit dhe Rregullores së Kuvendit, kemi të drejtë që të procedojmë  me seancë dëgjimore, me pëlqimin e drejtorit të AKI-së”- tha Musliu. 

Pas përfundimit të seancës, Musliu foli për media.

“U kumbua që të mbahet mbledhje, prandaj si kryetare e këtij komisioni, duke ndjekur me shqetësim raportimet e mediave, dhe në mbështetje Rregullores së Kuvendit dhe Ligjit për Agjencinë, kam ftuar Petrit Ajetin, lidhur me raportimet e disa mediave në përfshirje te zyrtarëve të AKI-së në përndjekje të disa gazetarëve dhe publikimin e mesazheve të Dejona Mihalit …”, deklaroi Musliu.

Dejona Mihali ishte paraqitur në cilësinë e dëshmitares në Prokurori më 20.09.2024.

Pas intervistimit, ajo nuk pati pranuar të deklarohet për media.