Drejtori i AKI-së raporton në Komision, takimi i mbyllur për media

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka filluar mbledhjen me një pikë të rendit të ditës, raportimi i Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu, tha se ky takim është thirrur shkaku i gjendjes së tensionuar në veri.

“Ka qenë e udhës që sot ta mbajmë këtë takim të informohemi drejtpërdrejtë për gjendjen e sigurisë kombëtare” – tha Musliu.

Musliu tha se takimi mbahet me dyer të mbyllura.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.