Drejtori i Agro Kosova – Holding: Jemi larguar me dhunë nga objekti

Gjatë ditës së sotme Policia e Kosovës ka zbatuar një vendim për lirimin e ndërmarrjes, Agro Kosova – Holding, pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte deklaruar se ka marrë nën administrim këtë ndërmarrje.

Drejtori dhe avokatja e kësaj ndërmarrje thanë se janë larguar me dhunë nga objekti.

Aziz Tafaj drejtor i ndërmarrjes, Agro Kosova – Holding ka thënë se janë obliguar me dhunë që ta lëshojnë objektin e ndërmarrjes.

Tafaj tha se vullnetarisht nuk e lirojnë objektin pasi sipas tij nuk ka urdhër të gjykatës dhe nuk ka vendim.

“Vendimet e AKP-së nuk janë urdhër për neve janë të jashtë ligjshme dhe ne kemi thënë që vullnetarisht nuk e lirojmë objektin”, tha Tafaj.

Drejtori i ndërmarrjes shtoi se pasi kanë marr konfirmim nga policia se nëse nuk e lirojnë objektin vullnetarisht do t`i largojnë me dhunë.

“Policia në fund tha nëse nuk e lironi me urdhër ta AKP-së ne jemi të obliguar me ju largu me dhunë. Ne nuk kemi ardh këtu me rezistu në pronën tonë me Policinë e Kosovës sepse nuk kemi as atë qëllim. Kur policia thotë se ne do t’ju largojmë me dhunë jemi detyru me dal është largim i dhunshëm”, tha ai.

Drejtori i kësaj ndërmarrje është zotuar se do të jenë ata që e qesim drejtësinë në vend për të gjithë.

Avokatja e ndërmarrjes Shpresa Berisha Rexhepi, tha se policia ju kanë thënë se kanë ardhur për asistencë dhe në emër të asistencës thotë se janë nxjerr me dhunë nga prona private.

“Nuk ka pas lirim me vullnetin tonë të lirë pasi në asnjë vendim të AKP-së nuk shënohet nxjerrja me dhunë. Sot policia në mënyrë të kundërligjshme duke asistuar kanë ekzekutuar një vendim i cili nuk është i ekzekutueshëm”, tha ajo.

AKP përmes një komunikate për media ka ftuar punëtorët aktual që të vazhdojnë punën me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe të mos largohen nga vendet e punës.

Gjatë këtij aksioni është arrestuar edhe një kameraman i një agjencie të lajmeve.