Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Agjencisë së Akreditimit e informon ministrin për ecurinë e dorëheqjes së anëtarëve të KShC-së

Pas pothuajse një muaji dorëheqje të 5 anëtarëve të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilëisë (KShC), drejtori i Agjencisë së Akreditimit (AKA), Naim Gashi e ka njoftuar sot ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, kronoligjikisht se si ka ardhur deri tek vendimi i tyre.

Gashi në këtë letër ka sqaruar se tre anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së ishin njoftuar për deklarimin e pasurisë në muajin mars të vitit 2020.

“Më datë 10.03.2020 zyrtarja e MASHT-it, znj. Naxhije Shala-Ajvazi, ju ka dërguar një email anëtarëve të KShC-së ku ka kërkuar që të bëhet deklarimi i pasurisë deri më 31.03.2020. Për shkak të pandemisë ky afat është shtyrë për disa muaj. Për informimin tuaj drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka marrë detyrën më 13.03.2020, d.m.th. tri ditë pasi që është dërguar kjo letër”, ka thënë Gashi duke dhënë edhe sqarime të tjera sa i përket kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsion për deklarimin e pasurisë së tyre.

Ai e ka njoftuar ministrin Likaj edhe për dorëheqjen e dy anëtarëve vendorë, Gazmend Luboteni dhe Vjollca Krasniqi.

“Një ditë më pas, më 04.02.2021 japin dorëheqje edhe dy anëtarët vendorë. Nënkryetarja e KSHC kishte edhe 2 muaj për t’i përfunduar mandati.  Në arsyetimin e dy anëtarëve vendorë thuhet se nuk ka kuptim qëndrimi në KShC pas dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë”, thuhet në sqarimin e tij.

Drejtori i AKA-së ka theksuar më tej se ka informuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare se deri në fund të muajit maj nuk ka asnjë problem në mbarëvajtjen e punës së AKA-së, pasi që ekziston vendimmarrje për vazhdimin e procesit të akreditimit.

“Për tu kthyer vendimmarrja në KShC nevojitet vetëm një anëtar ndërkombëtar”, ka shtuar ai më tej.

Tre anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së kishin dhënë dorëheqje për shumë arsye, por ndër të tjera edhe për kërkesën për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ndërsa dy anëtarët vendorë kanë thënë se janë munduar që të përmirësojnë cilësinë në arsimin e lartë pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga jashtë dhe brenda KShC.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Aktualisht në bord kanë mbetur katër anëtar: Arta Jakupi, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi dhe Binak Beqaj.

Për emërimin e anëtarëve të këtij bordi vendos Kuvendi i Kosovës.

Kjo është letra e plotë e Gashit drejtuar Likajt:

I nderuari Ministër Likaj,

Me kërkesën tuaj ju lutem gjeni më poshtë raportin e detajuar lidhur me procesin e dorëheqjes së tre

anëtarëve ndërkombëtarë dhe dy anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Më datë 10.03.2020 zyrtarja e MASHT-it, znj. Naxhije Shala-Ajvazi, ju ka dërguar një email anëtarëve të KShC-së ku ka kërkuar që të bëhet deklarimi i pasurisë deri më 31.03.2020. Për shkak të pandemisë ky afat është shtyrë për disa muaj. Për informimin tuaj drejtori i AKA-së, Naim Gashi, ka marrë detyrën më 13.03.2020, d.m.th. tri ditë pasi që është dërguar kjo letër.

Më datën 18 mars 2020, anëtari ndërkombëtar i KShC-së, z. Herb Amato, ka kërkuar sqarime çka është ky email. Kjo dëshmon se anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së kanë qenë në dijeni për obligimin e tyre ligjor.

Më datë 15.10.2020 AKA ka marrë një kërkesë nga Agjencia Kundër Korrupsionit ku kërkoheshin dokumentacioni i zgjedhjes se anëtarëve në Bordin e KShC-së. Aty kërkohej edhe forma e komunikimit me anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së.

Më datë 20.10.2020 drejtori i AKA-së, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare AKK, ku janë dhënë të gjitha përgjigjet e kërkuara. Aty janë bashkëngjitur edhe gjithë dokumentacioni i kërkuar. (

Më 27.10.2020 AKK u dërgon një letër anëtarëve ndërkombëtarë ku ju kërkon sqarime pse nuk e kanëdeklaruar pasurinë.

Më datë 2 nëntor 2020 drejtori i AKA-së ka pranuar një kërkesë nga AKK për posedim të UA me të cilin funksionon AKA. Brenda ditës është kthyer përgjigje.

Më datë 28.12.2020 me sugjerimin e anëtarëve ndërkombëtarë të KShC-së, kryetari i KShC-së, prof. Gazmend Luboteni dhe drejtori i AKA-së, Naim Gashi, kanë zhvilluar një takim me z. Afrim Atashi.

Drejtor i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK. Në takim është shprehur kundërshtimi anëtarëve ndërkombëtarë për të deklaruar pasurinë në AKK. Një ditë më pas AKK ka kthyer përgjigje për anëtarët ndërkombëtarë.

Më datë 29.12.2020 AKK kthen përgjigje në AKA ku konfirmon se konform Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, të gjithë zyrtarët e larët publikë në Kosovë, duke përfshirë edhe anëtarët ndërkombëtar të KShC-së janë të obliguar që të deklarojnë pasurinë në AKK. (shih atachmentin nr. 6)

Më datë 11.01.2021 anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së i drejtohen me një letër AKK. Në letër ata kundërshtojnë deklarimin e pasurisë.

Më datë 19.01.2021 Agjencia Kundër Korrupsionit ju përgjigjet anëtarëve ndërkombëtarë ku ju konfirmon sërish anëtarëve ndërkombëtarë se janë të obliguar që të deklarojnë pasurinë, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Më datë 03.02.2021 Anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së dërgojnë letrën e dorëheqjes. Në letër ata thonë se arsyeja kryesore e dorëheqjes është kërkesa e Agjencisë Kundër Korrupsionit për deklarimin e pasurisë.

Në letër ata drejtojnë edhe disa kritika për administratën e AKA dhe palët e tjera, por nuk ofrojnë asnjë fakt konkret. Një ditë më pas, më 04.02.2021 japin dorëheqje edhe dy anëtarët vendorë. Nënkryetarja e KSHC kishte edhe 2 muaj për t’i përfunduar mandati.

Në arsyetimin e dy anëtarëve vendorë thuhet se nuk ka kuptim qëndrimi në KShC pas dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë.

Më datë 08.02.2021 drejtori i AKA-së ka njoftuar Ministrin e Arsimit, institucionet vendore dhe ndërkombëtare se tre anëtarë ndërkombëtarë kanë dhënë dorëheqje për shkak se kanë refuzuar që të bëjnë deklarimin e pasurisë në AKA.

Drejtori i AKA-së ka informuar se deri në fund të muajit maj nuk ka asnjë problem në mbarëvajtjen e punës së AKA-së, pasi që ekziston gjithë vendimmarrje për vazhdimin e procesit të akreditimit. Për tu kthyer vendimmarrja në KShC nevojitet vetëm një anëtar ndërkombëtarë.

Më datë 05.02.2021 katër anëtarët ekzistues të KShC-së dhe drejtori i AKA-së kanë mbajtur një mbledhje dhe i kanë informuar institucionet e arsimit të lartë në Kosovë se procesi i akreditimit do të vazhdojë normalisht.

 

Më 4 shkurt, tre anëtarët ndërkombëtarë, Jeff Butel, Herb Amato dhe Magdalena Ziolo si dhe dy anëtarët vendor, Gazmend Luboteni, Vjollca Krasniqi, kanë dhënë dorëheqje nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.