Drejtori i Agjencisë së Akreditimit denocon transferet e paligjshme të studentëve në programe

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi ka ngritur disa shqetësime për arsimin e lartë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Gashi më 15 dhjetor e ka njoftuar Hotin për çështjen e hapjes së Sistemit të Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL), transferimet e paligjshme të studentëve nga ana e institucioneve te Arsimit të Lartë, angazhimin e ekspertëve të jashtëm si dhe tema të tjera.

Gashi ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka shqetësim transferimin e studentëve nga një program akademik në tjetrin, që sipas tij në shumicën e rasteve nuk kanë përafrim të programeve të studimit.

“Në të kaluarën në një program janë regjistruar 2000 studentë për vit akademik, këtë vit, të njëjtit program i është kufizuar numri në 200 studentë për vit akademik duke u bazuar në kriteret dhe standardet e AKA-së. Është e pritshme që këto institucione të arsimit të lartë të ankohen në Agjencinë dhe tek ekspertët për shkak së është reduktuar për dhjetëra herë mundësia e abuzimit”, ka theksuar Gashi.

Sipas Gashit, lejimin e transfereve të studentëve nga një program në tjetrin po e lejon Departamenti i Arsimit të Lartë në Ministri të Arsimit dhe Shkencës.

“Megjithatë, ndonëse AKA ka kryer obligimin e saj ligjor në përmbushje të standardeve, Departamenti i Arsimit të Lartë brenda MAS, po lejon transferin e studentëve në programe krejtësisht të ndryshme, duke shkelur rëndë kriteret e përcaktuara”, thuhet më tej në letrën e dërguar më 15 dhjetor të vitit 2020.

Tutje drejtori i AKA-së e ka njoftuar kryeministrin në detyrë edhe për programet e caktuara që po lejohen këto transfere, duke mos përmendur Institucionet e Arsimit të Lartë.

“Kështu si shembull konkret: Një student regjistrohet në programin Dizajn Grafik (BA), mirëpo ai vazhdon të ndjek ligjëratat në programin e Infermierisë (BA). Në vitin e dytë me kërkesë të IAL-së brenda MASh, bëhet transferimi i studentit nga programi Dizajn Grafik (BA) në programin e Infermierisë (BA), ndonëse programet nuk kanë kurrfarë ndërlidhje mes vete”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, edhe pse AKA e ka ngritur këtë shqetësim tek Drejtori i Departamentit të Arsimit të Lartë, ai thotë se asnjë veprim nuk është ndërmarrë deri më tani dhe se ato po legjitimohen në arsyetimin se ‘nuk ka bazë ligjore për t’u ndaluar’.

Më tej, drejtori i AKA-së, Naim Gashi ka theksuar se Agjencioni sigurohet se ekspertët e angazhuar, pavarësisht prej nga vijnë, kanë përvojën dhe ekspertizën e duhur për të vlerësuar programet e institucioneve të arsimit të lartë.

KALLXO.com ka kontaktuar u.d Drejtorin e Departamentit të Arsimit të Lartë në MASh, Burim Gashi, i cili ka thënë se nuk kanë realizuar takim zyrtar me drejtorin e AKA-së.

“Ne nuk  kemi realizuar ndonjë takim zyrar me z. Gashi dhe nuk kemi diskutuar për çështjen e transfereve zyrtarisht. Duke u bazuar në shkresen drejtuar Kyeministrit nga drejtori i AKA-së, institucionet nuk i drejtohen ministrisë me kërkesë për çështjen e transfereve ashtu siç është përmendur në shkresën e z.Gashi sepse kjo procedurë e transfereve rregullohet brenda institucioneve, ku janë të specifikuara kriteret me rregullore te veçanta për transfere”, tha Gashi.

Sipas tij, pretendimet e Gashit për transfere të mundshme të kundërligjshme e ka njoftuar Inspektoratin e Arsimit.

“Pas marrjes së kësaj shkrese e kam përcjellur në organin kompetent- pra në Inspektoratin e Arsimit në MASH, për të inspektuar rastet në fjalë, nëse ka të tilla”, ka thënë më tej ai.