Drejtori Ekzekutiv i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve mbajti ligjëratë për kirurgët kosovarë

Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me Kolegjin Amerikan të Kirurgëve ka mbajtur ligjëratën e radhës ku ligjërues ishte Drejtori Ekzekutiv i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, Dr. David Hoyt, me temën “Challenges going forward”.

Sipas komunikatës, pikat kryesore të ligjëratës së Dr. Hoyt ishin parimet e përhershme të udhëheqësisë në kirurgji gjatë kohës së ndryshimeve të mëdha botërore që po i përjetojmë jo vetëm në fushën e shëndetësisë, përfshirë këtu edhe pandeminë COVID-19.

Në komunikatë thuhet se Dr. Hoyt siguroi mbështetjen e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe çmoi lartë lidershipin e Dr. Rifat Latifit në krijimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, duke shtuar se ky hap i ndërmarrë do ta ndryshojë kirurgjinë dhe mjekësinë kosovare.

Kjo ishte ligjërata e fundit nga 7 të tjera të ofruara gjatë këtyre 6 muajve nga anëtarë tjerë të spikatur të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, por edhe profesorë tjerë me renome botërore që Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i ka mundësuar për kirurgët e vendit.

Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është themeluar si organizatë shkencore dhe avokuese për të udhëhequr avancimin në disiplinat kirurgjike në Kosovë. Si një asociacion shkencor dhe arsimor  jofitimprurës, Kolegji u themelua më 2018 për të përmirësuar kualitetin e përkujdesjes për pacientin kirurgjik, duke vendosur standardet më të larta të edukimit dhe praktikës kirurgjike.