Drejtori dhe dy asambleistë të AAK-së në Vushtrri japin dorëheqje

Berat Asllani, drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Vushtrrisë, së bashku me dy ansambleist të tjerë nga radhët e partisë AAK, kanë dhënë dorëheqje nga struktura e kësaj partie.

Kjo sipas tij ka ndodhur për shkak të injorimeve që janë bërë nga ana e strukturës së degës së AAK-së në Vushtrri.

“Pas shumë injorimesh, anashkalimesh, përçmimesh, insunuata e gënjeshtra, nga një pjesë e strukturës së degës së AAK-së në Vushtrri dhe nga niveli qendror i këtij subjekti politik, unë jap dorëheqje unë së bashku me dy asamblistët e AAK-së, Hajriz Mustafa dhe Teuta Aruçi-Shartari, nga të gjitha strukturat subjektit, pjesë e së cilës ishim deri më tani”, ka njoftuar Asllani.

Ai tutje ka treguar edhe arsyjet për të cilat ata kanë dhënë dorëheqje nga kjo parti politike.

“Ky vendim nuk është vendim i ngutshëm, por pas presioneve të vazhdueshme nga një grup i njerëzve përbrenda këtij subjekti, që nuk kanë as fuqi e as ndikim elektoral, detyrohemi të mos jemi më pjesë e saj. Isha kandidati më i votuar i degës në zgjedhjet e kaluara lokale, dhe nga ky proces, me vendim të të gjitha strukturave të degës, u emërova drejtor në Drejtorinë për Inspektime në Komunën e Vushtrrisë. Sot, dalin në skenë disa individ, që morën kinse drejtimin e degës, individ pa autoritet, të cilët kanë lobuar dhe përkrahur parti të tjera, duke tentuar të përulin. Një gjë duhet ta dini, ajo çka nuk keni punuar për t’a marr, dijeni që kurrë nuk do të jetë e juaja”, ka shkruar Asllani.

Ndërsa, koordinatorët e degës së AAK-së në Vushtrri, Asllani i ka quajtuar shkatërrues të degës.

“Ndërsa, për ju “koordinatorët e degës” ju me apo qëllim jeni shkatërrues i kësaj dege. Të luftosh për suksese të degës, normalisht do të thotë të “përbish” diçka që nuk të pëlqen, mirëpo, të udhëheqësh nga njerëzit më pa kredibil është akoma më vështirë”, ka përfunduar Asllani.