Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori Bashota tregon se çfarë është duke ndodhur me planin zhvillimor të Prishtinës

Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës ka thënë që tash e pesë vite janë duke punuar për hartimin e planit zhvillimor komunal të ri dhe hartës zonale.

“Ne që tri vite jemi duke punuar në hartimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për kryeqytetin, por edhe dy vite përpara Drejtoria e Urbanizmit është marrë me incizime gjeodezike, pra ka bërë një punë parapërgatitore për hartimin e planit, kështu që efektivisht jemi duke u marrë me këtë dokument”, tha ai.

Gjatë debatit në emisionin “Kallxo Përnime” për të diskutuar për planin hapësinor të komunës së Prishtinës, drejtori Bashota tha që për këtë komunë janë prodhuar edhe harta digjitale të cilat sipas tij, kryeqyteti nuk i ka pasur asnjëherë.

“Plani zhvillimor komunal e jep vizionin në vija të trasha, përmbajtja e dokumentit i cili i ka 700 faqe dhe i ka një numër të hartave të cilat janë të detajuara e ka profilin e Komunës, në të cilin janë prodhuar disa harta digjitale të komunës të cilat komuna kurrë nuk i ka pasur, si shtrirjen e gypave të Termokosit, kanalizimit, ujësjellësit”, tha ai.

Në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini po transmetohet debati për Prishtinën prej një seri debatave që do të zhvillohen për planifikimin hapësinor të komunave tona.

Debatet po organizohen prej dy organizatave që punojnë me plane hapësinore dhe trashëgimi kulturore, “Qytetarët Aktiv” dhe “Ec ma Ndryshe”.