Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtorët politik të shkollave të Lipjanit, flet Imri Ahmeti

Në debatin “Jeta në Komunë” ku përballë Jeta Xharrës ka qenë kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, janë transmetuar bisedat me pesë drejtorë të shkollave të kësaj komune, të cilët i shfrytëzojnë profilet e tyre në Facebook, për të promovuar LDK-në, pjesë e së cilës është Imri Ahmeti.

Disa prej drejtorëve, e kanë konfirmuar për KALLXO.com se janë anëtarë të LDK-së.

 

Lidhur me këtë çështje, kryetari Imri Ahmeti tha se nuk mund t’ia mohojë askujt të jetë anëtar i një partie politike.

“Duhet pranuar një fakt, asnjë prej këtyre drejtorëve, edhe prej të tjerëve nuk është anëtar i kryesisë së LDK-së, dega në Lipjan. Anëtar mund të jetë, nuk mund t’ia mohosh askujt. Ka edhe të PDK-së që hala i kam drejtora, edhe s’merrna me atë punë”, tha ai.

I pari i Lipjanit tha se nuk mendon që është mirë që drejtori i shkollës e shfrytëzon Facebook-un për ta promovuar partinë.

“Një rast e di që i kam thënë një djalit, një drejtori t’u kisha lutë mos u merr shumë me politikë por kryj punt e tua. Këtë e di saktë. LDK-në e ka shpërnda. Dikush t`u u mundu me t’bo shumë hajr, veç dëm t’bon. Ka disa njerëz që nuk mujnë me nejt edhe bash bash krejt qetë”, theksoi Ahmeti.

Drejtori i shkollës fillore “Ismail Luma” në Lipjan Driton Sadiku, ka thënë për KALLXO.com se është pjesë e LDK-së.

“Çka të intereson? Kam qenë, po po. Nuk e di tash strukturat ata a kanë ndryshu a najsen. Jom pjesë e asaj, nuk është diçka që s’jam”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i shkollës fillore “Ernest Koliqi” në Babush të Muhaxherëve, Fadil Sylejmani e ka pranuar që është anëtar i LDK-së.

“Pse? Normal. Jo, jo, i thjeshtë, i thjeshtë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori i shkollës fillore “Haradin Bajrami” në Magurë, Shaip Fazliu ka thënë për KALLXO.com se po mundohet të jetë neutral.

“Jo, jam kanë i PDK-së, tash s’jom mo. I LDK-së, PDK-së, tash neutral po mundohem me kanë, se në shkollë po duhet me kanë qashtu i paanshëm. Për besë veç që po punon mirë, qata se kurrfarë anëtarësie tjetër jo”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës fillore “Skënderbeu” në Kraishtë, Ismet Dedushi tha se nuk është pjesë e asnjë partie, por në Facebook ka shpërndarë postime lidhur me LDK-në.

“Unë nuk jam në asnjë parti vallai  unë jam apolitik. Unë jam simpatizant për punët që i ka kryer dhe i kam respektuar për hapat që i ka marrë”, është shprehur Dedushi.

Foto: KALLXO.com

Ndërsa, drejtori i shkollës “Hasan Zyko Kamberi” në Sllovi, Qazim Salihu thotë se e përkrahë vetëm punën në shkollën e tij.

“Jo, unë nuk jam anëtar aty, i asnjë partie politike hiç. Jo, unë i përkrahi veç punët që i kryen në shkollën tem edhe naj projekt për shkolla që ka të bëjë”, ka thënë ai.

Foto: KALLXO.com