Flamuri i Rusisë, Foto: Pixabay
Drejtoresha ruse e teatrit dënohet me 8 vjet burgim pasi postoi kundër Putinit
Anastasia Berezhinskaya, drejtoreshë teatri, është dënuar të enjten me tetë vjet burgim nga një gjykatë në Moskë, për shkak të shkrimeve dhe komenteve që i kishte bërë në rrjetin social Vkontakte më 2022, ku e kishte dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe kishte bërë thirrje për “vrasjen” dhe “eliminimin” e presidentit Vladimir Putin.
Gjykatësi Andrei Pluzhnikov nga gjykata ushtarake e qarkut në Moskë e shpalli Berezhinskayan fajtore për “arsyetimin e terrorizmit”, për “përhapjen e të dhënave të rrejshme për ushtrinë ruse” si dhe për “përçmimin e Forcave të Armatosura të Rusisë”.
Prokuroria kishte kërkuar 10 vjet burgim për Berezhinskayan.
Berezhinskaya, 43-vjeçare, e cila nuk pranoi të dëshmonte gjatë gjykimit, e pranoi fajësinë pjesërisht.
Në fjalinë e saj përfundimtare para gjykatës, Berezhinskaya tha: “I nderuar, nuk kam asgjë të të them, asgjë për të shtuar. Do ta pranoj secilin vendim tuaj”.
Pasi gjykatësi e mori vendimin, Berezhinskaya u arrestua në vend.
Para dhe gjatë gjykimit, ajo ishte urdhëruar të mos largohej nga Moska.
Berezhinskaya, e cila është nënë e dy fëmijëve të moshës 8 dhe 10-vjeçare, është diagnostikuar me çrregullime të personalitetit, por gjykata tha se ajo nuk ka nevojë të shtohet në spital.
Zyrtarët ruse i kanë përdorur dukshëm akuzat si përçmimi i Forcave të Armatosura të vendit apo përhapja e informatave të rrejshme për ushtrinë, për t’ua mbyllur gojën qytetarëve që e kundërshtojnë agresionin e Moskës në Ukrainë, prej se nisi pushtimi i plotë i shtetit fqinj në shkurt 2022. / REL