Ilustrim
Drejtoresha e Shkollës së Muzikës, lut prindërit të mos i sjellin fëmijët që janë të izoluar për shkak të COVID-19
Drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, Jeta Dida Bujari po pretendon se sot kanë identifikuar dhjetë fëmijë të cilët janë të izoluar nëpër shkollat e tyre të përgjithshme apo klasat e tyre, ndërsa lirshëm vijojnë mësimin në shkollën e muzikës.
Kjo sipas saj, po rrezikon seriozisht shëndetin e përgjithshëm të nxënëseve dhe mësimdhënëseve.
Drejtoresha ka lutur prindërit e fëmijëve të izoluar nga shkollat e tyre të përgjithshme, të mos i sjellin fëmijët e tyre as në shkollën e muzikës.
“Në shkollën e muzikës kemi të identifikuar 16 nxënës me COVID19 ndërsa 140 prej tyre janë të izoluar. Vetëm sot kemi identifikuar 10 fëmijë të cilët janë të izoluar nëpër shkollat e tyre të përgjithshme apo klasat e tyre, ndërsa lirshëm vijnë në mësim në shkollën tonë. Mendoj se kjo gjë rrezikon seriozisht shëndetin e përgjithshëm të nxënëseve dhe mësimdhënëseve në shkollën tonë. Lus prindërit që kanë fëmijë të izoluar nga shkollat e tyre të përgjithshme, të mos i sjellin fëmijët e tyre as në shkollën tonë”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.
Lidhur me çështjen KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë dhe është duke pritur përgjigje.