Diana Bajrami dhe Besim Iazi, Foto: Komuna e Kacanikut, Facebook

Ish drejtoresha e Shëndetësisë zgjidhet drejtoreshë e shkollës në Kaçanik

Ish drejtoresha e Shëndetësisë, Diana Bajrami-Reka në Komunën e Kaçanikut është zgjedhur në pozitën e drejtoreshës së shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Emin Duraku”.

Punësimin e ish drejtoreshës së Shëndetësisë për KALLXO.com e ka konfirmuar Zyra për Informim në Komunën e Kaçanikut.

“Pozita e saj si drejtoreshë nuk ka ndikuar asgjë, procedurat janë zhvilluar sipas ligjeve në fuqi, dhe për tërë procesin e zhvilluar deri më tani, nuk është pranuar asnjë ankesë”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Zyra për Informim ka bërë të ditur se Bajrami-Reka do të mbajë vetëm pozitën e drejtoreshës së shkollës.

“Ajo tashmë ka dhënë dorëheqje nga pozita e DSHMS-së dhe sapo të plotësohen afatet e nevojshme kohore sipas ligjit, ajo do të filloj punën si drejtoreshë në Shkollën Fillore “Emin Duraku””, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas një njoftimi të Komunës së Kaçanikut, Diana Bajrami – Reka ka shërbyer si udhëheqëse e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Kaçanik që nga muaji mars i vitit 2015.