Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtoresha e Shëndetësisë në Ferizaj, mban dy pozita në kundërshtim me ligjin

Më 2 shkurt 2021 Abetare Kurti – Maliqi mori pozitën e drejtoreshës së Shëndetësisë në Ferizaj, pas lirimit nga detyra të drejtorit paraprak, Bekim Ademi.

Mirëpo, Kurti – Maliqi, është e angazhuar edhe në një punë tjetër, atë të anëtares së Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujit ‘Bifurkacioni’.

“Në kohën kur jam zgjedh anëtare e bordit, nuk kam qenë e emëruar drejtoreshë”, thotë ajo.

E pyetur nëse do t’i mbajë këto dy pozita ajo tha: “Po, deri në zgjedhjen e statusit, po”.

Nga llogaria e saj në rrjetin social në facebook, kuptohet se Kurti – Maliqi më 2019 ka qenë e punësuar zyrtare në zyrën për Integrime Evropiane në Komunën e Ferizajt.

Nuk dihet nëse partia NISMA për të cilët Kurti – Maliqi poston në facebook ‘kishte gisht’ në përzgjedhjen e saj në drejtorllëk të shëndetësisë, pasi e njëjta në bazë të postimeve që bënë, duket të këtë një simpati për këtë parti.

Konkursi për punë në ‘Bifurkacion’

KRU ‘Bifurkacioni’, më 26 janar 2021 ka hapur konkurs pune për kryeshef ekzekutiv, zëvendës kryeshef, sekretar të kompanisë dhe zyrtarë kryesorë i financave dhe thesarit për Bordin Drejtues të Kompanisë.

Konkursi ka qenë i hapur deri më 24 shkurt 2021.

KALLXO.com ka telefonuar U.D e drejtorit të Bordit Drejtues të ‘Bifurkacionit’, Faruk Lipovica, në lidhje me rezultatet e konkursit. I njëjti ka thënë se komisioni është në proces e sipër të përzgjedhjes së fituesit.

“Komisioni është formuar me pesë anëtarë. Komisioni është duke u marrë me rezultatet”, tha Lipovica.

Aktualisht anëtarë emërues të Bordit të ‘Bifurkacionit’ përveç Lipovicës e drejtoreshës së Shëndetësisë Kurti – Maliqi, janë edhe Burbuqe Xheladini dhe Nexhmedin Bajrami.

Ligji e parandalon mbajtjen e dy pozitave të punës nga zyrtarët e lartë

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka potencuar se Neni 13, paragrafi 3 kundërshton mbajtjen e dy pozitave të zyrtarit të lartë.

“Bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht në nenin 13, paragrafi 3, shprehimisht është theksuar se:  Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj. Zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.