Drejtoresha e Pulmologjisë kundërshton deklaratën e deputetit të LVV-së për toaletet në këtë klinikë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës deklaroi se Klinika e Pulmologjisë ku po trajtohen pacientët me COVID-19 ka vetëm tre toalete.

“Në klinikat e adaptuara të pacientëve me COVID-19 si ajo e Pulmologjisë nuk ka fare hapësirë izolimi dhe gjithashtu i keni vetëm tre toalete për 60 pacientë të Pulmologjisë”, ka deklaruar Uka gjatë senacës.

KALLXO.com sot ka kontaktuar drejtoreshën e kësaj klinike, Rukije Mehmetin, për të pyetur në lidhje me këtë deklaratë.

Ajo ka thënë se tetë toalete janë për pacientë dhe katër për personelin shëndetësor.

“Nuk është e vërtetë. Janë tetë nevojtore, qato që kanë ekzistu përpara. Të gjitha këto nevojtore janë për pacientë, stafi i ka tjera. Katër janë për staf tetë për pacientë”, konfirmoi drejtoresha.

Deputetët e pozitës dhe opozitës gjatë seancës së mbajtur dje dhe pardje kanë diskutuar për menaxhimin e COVID-19 në Kosovë.