Drejtoresha e Policisë demanton eprorin për dasmën

Një epror i Policisë në Rajonin e Gjilanit mbrëmjen e kaluar ka organizuar një dasmë pasi djali i tij është martuar.

KALLXO.com ka marrë vesh se shefi i Operativës, Nijazi Kolgeci, mbrëmjen e kaluar është gjobitur për shkak se kishte organizuar dasmë në njërën nga resortet në rajonin e Gjilanit në kohë pandemie.

Organizimin e dasmës e ka mohuar Kolgeci në një bisedë për KALLXO.com duke thënë se ai nuk ka pasur asnjë organizim të tillë.

“Çka është kjo në ketë orë me më thirrë për këtë punë? A e dini se unë jam kolonel në Polici? Pse nuk më keni thirrë më herët për këtë punë? Nuk kam paur asnjë problem me AUV. As nuk kam pasur dasmë as s’kam feju as nuk ka lidhje kjo me mua, keni informacione të gabuara. Ku e keni marrë këtë informacion?”, tha ai.

Ai madje përmendi se ai merr pjesë në mbylljen e lokaleve çdo natë për shkak të pandemisë.

“Në këtë kohë s’folet as për një temë. Unë punoj çdo natë, mbylli lokale këtë punë e bëj çdo ditë. Unë nuk kam pasur punë me këtë çështje”, vazhdoi tutje ai.

Por eprorin Kolgeci e ka demantuar drejtoresha e tij në Policisë e Rajonit të Gjilanit, Elmina Mahmuti.

“Mbrëmë ka pasë aksion, ka qenë dasma e nënkolonelin në “Vali Ranch”, kanë ndërmarrë masat ndaj proarit edhe unë do t’i ndërmarr masat për në Inspektorat me ia bë landën”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

“Po, kur më kanë thirrë mua më kanë njoftu që është dasma e nënkolonelit. Po, lënda do të dërgohet në Inspektorat Policor dhe në këto raste edhe për shkelje diciplinore”, ka paralajmeruar drejtoresha e forcave të rendit për rajonin e Gjilanit.

KALLXO.com raportoi në lidhje me organizimin e dasmës në Gjilan mbrëmjen e kaluar ku ka intervenuar edhe inspektorati i AUV, madje të njëjtit kishin shqiptuar edhe gjobë për mos respektim të masave kundër pandemisë.

Skandaloze, eprori i Policisë mbajti dasmë në pandemi