Drejtoresha e Inspekcionit dhe inspektori i ndërtimtarisë në Suharekë i mohojnë akuzat për keqpërdorim

Në Gjykatën e Prizrenit u mbajt shqyrtimi fillestar ndaj drejtoreshës së Inspekcionit dhe Inspektorit të Ndërtimtarisë, të cilët Prokuroria po i akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Jehona Rrafshi-Lumi po akuzohet se nuk e kishte rrënuar në tërësi një objekt afarist të ndërtuar pa leje, ndërsa Hafir Maliqaj përpos akuzës për përfshirje në këtë rast, të njëjtin Prokuroria po e akuzon se në një rast tjetër nuk e ka penguar një investitor që të vazhdojë ndërtimin e një objekti, ndonëse i njëjti nuk posedonte leje ndërtimi.

Pas leximit të aktakuzës drejtoresha e Inspekcionit Jehona Rrafshi-Lumi dhe inspektori Hafir Maliqaj u deklaruan të pafajshëm kundrejt akuzave me të cilat i ngarkon Prokuroria.

Për aktakuzën ndaj drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi – Lumi, dhe ndaj Hafir Maliqaj inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit, Kallxo.com ka raportuar edhe më herët.

Jehona Rrafshi – Lumi po akuzohet nga Prokuroria se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Suharekës pasi që paraprakisht kishte nxjerrë një konkluzion lidhur me disa parcela kadastrale pronë e të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, më pastaj në kundërshtim me frymën e konkluzionit nuk e kishte rrënuar në tërësi objektin afarist të investitorit B.G., të ndërtuar pa leje.

Ndërsa Hafir Maliqaj, Prokuroria po e akuzon se ndonëse në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë nuk i ka ndërmarre masat ligjore për pengimin e rindërtimit të objektit afarist në lagjen Shirokë të Suharekës, objekt ky i ndërtuar nga investitori B.G, që ishte pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding”.

Sipas Prokurorisë, Maliqaj ishte mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër – ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit, vetëm pasi kishte përfunduar ndërtimi, me ç ‘rast të dëmtuarës “AgroKosova – Holding”, i ka shkaktuar dëm material apo i ka shkelur të drejtat e saja.

Pika tjetër e aktakuzës së Prokurorisë e gjen Maliqajn përgjegjës që nuk ka vepruar sipas urdhrit të lëshuar nga vetë ai edhe në një rast tjetër që e obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan të Komunës së Suharekës, të pajisej me leje ndërtimi në afatin prej 15 ditësh.

Prokuroria pretendon se Maliqaj nuk e ka penguar investitorin Xh.R., të vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, duke dalë me vonesë në vend të ngjarjes dhe duke mos vepruar sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por që të njëjtit i ka dhënë afat shtesë që të pajiset me leje ndërtimi, e kësaj here më gjatë se 30 ditë.

Veprime me anë të të cilave Prokuroria pretendon se i akuzuari Maliqaj i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.