Drejtimi i Elektroenergjetikës në pritje të akreditimit

Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në drejtimin e Elektroenergjetikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për këtë vit akademik duhet të presin deri më 27 korrik, që të dihet nëse ky drejtim do të akreditohet nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).

Kjo pasi ky drejtim tashmë është në fazën e vlerësimit nga ana e KShC-së dhe vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtarë, të angazhuar nga ana e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, për vlerësimin  e programeve dhe institucioneve për akreditim.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike(FIEK), Isak Shabani, i cili tha se pas vendimit të KShC-së do të hapet konkursi për studentë të rinj.

Ai shtoi se këtë vit ky fakultet ka aplikuar për 8 programe për akreditim dhe janë në pritje të vendimeve nga ana e KShC-së.

“Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike (BSc) Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike (MSc),  Elektronikë, Automatikë  dhe Robotikë (BSc),  Elektronikë, Automatikë  dhe Robotikë (BSc),  Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (BSc), Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (MSc), Elektroenergjetikë (BSc) dhe  studime të doktoratës në Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike (PhD)”, ka bërë të ditur Shabani për KALLXO.com.

Se programi i Eletroenergjtikës në UP është në proces të akreditimit e kanë konfirmuar edhe nga ana e Agjencisë për Akreditim, derisa nuk kanë dhënë detaje shtesë për vlerësimin që i kanë dhënë ekspertët ndërkombëtarë këtij programi.

Sipas tyre, Agjencia nuk i komenton raportet e ekspertëve ndërkombëtarë derisa për to të vendosë Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë do të mbajë mbledhje më 27 korrik ku edhe pritet të shikojë raportet e vlerësimit të programeve të institucioneve të arsimit të lartë që janë bërë nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë dhe më pas të vendos për to.

Kjo çështje ishte paraparë që të përfundojë më 7 korrik, por anëtarët nuk patën pajtim për vazhdimin e mbledhjes dhe votuan vetëm për akreditim institucional.

E gjithë mbledhja ishte zhvilluar me diskutim për agjendën e asaj dite, për të cilën shumica e anëtarëve kërkuan që të ndryshohet ajo.

KALLXO.com kishte raportuar dhe monitoruar mbledhjen e 7 korrikut të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ndërsa, pas kësaj kishte pasur reagime nga ana e rektorëve të universiteteve publike, duke kërkuar që të mbahet mbledhja e KShC-së para datës 27 korrik, pasi sipas tyre, kjo vonesë ndikon  në hapjen e konkursit për studentë të rinj.

Një gjë të tillë e ka përmendur edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se këto vonesa nga ana e KShC-së po favorizojnë kolegjet private.

Këtë vit në procesin e akreditimit janë 239 programe akademike të cilat janë në pritje të aprovimit nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Historiku i akreditimit të programeve

Procesi i akreditimit të planprogrameve mësimore të arsimit të lartë në Kosovë ka filluar në vitin 2009.

Kurse, sipas raportit të vitit 2018, të organizatës “Admovere”, në Elektroenergjetikë në periudhën 2012-2019 ka pasur vazhdimisht rënie të numrit të profesorëve të rregullt për shkak se janë pensionuar tetë profesorë, mirëpo janë shpallur konkurse vetëm për gjashtë pozita të rregullta mësimdhënëse (dy më 2012, dy më 2016 dhe dy më 2018).

Tutje raporti thekson se në vitin 2018 njëra nga këto pozita të rregullta mësimdhënëse nuk është plotësuar ngase është paraqitur vetëm një kandidat, i cili nuk i ka plotësuar kushtet statutore për t’u zgjedhur.

Krejt kjo situatë është menaxhuar duke angazhuar profesorë të jashtëm (numri i të cilëve bie vazhdimisht nëpër vite) dhe tre profesorë të pensionuar çdo vit.