Drejtë fundit gjykimi ndaj Shukri Bujës dhe të tjerëve

Rastin i njohur si “Feronikeli”, ku i akuzuar është ish kryetari i Lipjanit Shukri Buja, për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi, si dhe 8 persona të tjerë është duke shkuar drejtë fundit.

Në fillim të seancës gjyqësore avokati Arianit Koci, deklaroi se klienti i tij është nën masën e ndalesës së daljes prej shtëpisë për shkak të pritjes së rezultatit të testit për Covid-19, përderisa gjykata e kishte urdhëruar atë që të paraqitet në seancë

“A keni ndonjë informacion zyrtar për rezultatin e klientit tim, meqenëse i njëjti është në pritje të rezultatit”, tha avokati Koci.

Kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra njoftoi se Gjykata ka informacion zyrtar se rezultati i testit të Bujës është negativ.

Meqenëse trupi gjykues nga seanca e kaluar kishte ndryshuar, edhe veprimet procedurale u dashtë të përsëriten sërish nga fillimi, edhe pse ky rast është në rigjykim avokati Arianit Koci kërkoi që aktakuza të lexohet përsëri.

Kësaj kërkesë iu bashkëngjitën edhe mbrojtësit e tjerë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Agron Bajrami, të akuzuarit mohuan fajësinë menjëherë.

Kurse gjatë dhënies së fjalës hyrëse të palëve, pati ballafaqime mes gjyqtarit Beqir Kalludra dhe avokatit Arianit Koci lidhur me bartjen e maskës.

Ndërkaq kur erdhi radha e provave nga ana e avokatit Koci pati propozime për prova dhe dëshmitarë të rinj.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Rizani, avokati Selman Bogiqi, tha se ka menduar që prokurori do të tërhiqet nga aktakuza për sa i përket klientit të tij, pasi sipas tij vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tij veç se është parashkruar.

Por sa i përket dëgjimit të dëshmitarëve, prokurori i kësaj çështje kërkoi nga gjykata që të konsiderohen të lexuar pasi të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në gjykimin e kaluar.

“Si për dëshmitarët ashtu dhe provat tjera, gjykatës i propozojmë që të gjitha të konsiderohen të lexuara meqenëse ato prova janë administruar në shqyrtim gjyqësor dhe po ashtu në rigjykim, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre ato prova i kanë pasur në disponim që nga ngritja e aktakuzës si dhe njoftojmë gjykatën se nuk do të paraqesim prova të reja”, tha prokurori Bajrami.

Lidhur me këtë propozim u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë, përveç avokatit Koci, i cili insistoi që të dëgjohen edhe një herë dëshmitarët.

Por trupi gjykues mori aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin e prokurorit që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në seancën e 30 qershorit 2020, kurse refuzoi propozimin e avokatit Koci.

Pas refuzimit të propozimit, avokati Koci kërkoi që ta merr sërish fjalën, mirëpo një gjë e tillë u refuzua nga ana e gjyqtarit Beqir Kalludra.

Gjykatësi Kalludra disa herë ia tërhoqi vërejtjen që mos ta pengojë punën e gjykatës dhe të kërkojë fjalën vetëm kur t’i vije radha.

Më pas reagoi avokati Koci duke shtuar se: “Kërkoj që të inçizohet gjykimi sepse nuk po i konstatoni të gjitha fjalët në procesverbal”.

Gjyqtari Kalludra u përgjigj se mund të inçizojë duke shtuar se kjo do të jetë hera e fundit që i tërheq vërejtjen avokatit para se t’i shqiptojë masa tjera disiplinore.

Më pas gjykimi vazhdoi me marrjen në pyetje ndaj të akuzuarve.

Ndaj Shukri Bujës nuk patën pyetje as prokurori Bajrami e as avokatët e tjerë.

Kur i erdhi radha të jap mbrojtjen i akuzuari Halit Gashi, pyetje nuk patën të tjerët , përveç të akuzuarit Buja.

Shukri Buja e pyeti të akuzuarin Gashi lidhur me dallimet e deklarimeve të tij nga hetuesia dhe ajo në shqyrtim gjyqësor.

Halit Gashi tha se saktësisht nuk i kujtohet deklarata por tha se në hetuesi kishte qenë konfuz për arsye se nuk i ishin kujtuar detajet e çështjes, duke shtuar se, po t’i ishin kujtuar sikurse më vonë, nuk do të ishte fare pjesë e aktakuzës.

Ndërsa edhe të akuzuarit tjerë në këtë raste thanë se mbesin prapa deklarimeve të dhëna në gjykimin e kaluar.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje të të akuzuarve, i akuzuari Shukri Buja tha që propozon prova dhe dëshmitarë të rinj për këtë proces gjyqësorë.

Por trupi gjykues mori aktvendim me të cilin i refuzuan të gjitha propozimet e Bujës, gjyqtari Kalludra, tha se për të gjitha këto prova i akuzuari ka qenë në dijeni për ekzistimin e tyre dhe sipas gjykatësit këto propozime janë bërë me qëllim të zvarritjes së procedurës penale.

Në këtë rast i akuzuari ka qenë edhe Nehbi Zeqiri, mirëpo procedura ndaj tij është veçuar për arsye se i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.

Sipas aktgjykimit të nëntorit të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.

I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza, ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burgim, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Ky rast është në mesin e rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave