Ballina e librit “Drama e mbijetesës”. Foto: KALLXO.com.
"Drama e mbijetesës”, ditari që rrëfen fillet e rezistencës për çlirimin e Kosovës
Pak ditë më parë doli nga shtypi, libri ditar, “Drama e mbijetesës shqiptare”, pjesa e parë, e autorit Sabri Morina.
Autori Morina këtë ditar e kishte mbajtur në mënyrë konsistente, duke shënuar ditë për ditë zhvillimet më të rëndësishme politike në vend, nisur nga përpjekjet e shqiptarëve për të mbrojtur autonominë e vitit 1974, duke vazhduar me ngjarjet që shënuan fillimin e procesit të pavarësimit.
Pjesa e parë e ditarit, e botuar në 325 faqe, përshkruan vitet 1988, 1989 dhe 1990. Fillon me 1 janar 1988 dhe përfundon me shënimet e 31 dhjetorit 1990.
Në këtë ditar, përveç rastet lokale të zhvillimit në Komunën e Kamenicës, autori i ka përfshirë edhe shënimin e ngjarjeve familjare, të cilat po ashtu janë një pasqyrë e dokeve dhe zakoneve. Ka përmbledhur dëshmitë në formë kronike të të gjitha zhvillimeve kryesore politike në vend, si protestat masive, vrasjet e shqiptarëve nga regjimi i Beogradit, duke filluar me vrasjet e ushtarëve shqiptarë, që ende sipas detyrimeve shërbenin në ushtrinë jugosllave, pastaj ngjarjet kryesore në organizimin e “Shtetit paralel”, referendumin për “Pavarësi”, mënyrën dhe qëndrimet që mbanin mediat, mënyrën sesi arrinte të funksiononte shteti, rolin negativ të disa shqiptarëve që vazhdonin t’i shërbenin regjimit komunist jugosllav etj.
Studiuesi Nexhat Rexha, ne recensionin e tij ka thënë se në ditarin “Drama e mbijetesës” të Morinës, lexuesi arrin të njihet me ngjarje që kanë ndodhur në kolektivin e gjimnazit “9 Maji”, tani “Ismail Qemali” në Kamenicë. Ai ka shkruar se brenda këtyre shtjellimeve, autori ka përshkruar gjendjen reale, e cila ka dominuar në ditët më të rënda të kësaj kohe,(1988-1990) ashtu siç janë paraqitur në ditarin e tij.
“Ngjarjet kanë një kronologji shumë dimensionale, sepse ato janë shkruar kryesisht në përfundim të një dite, duke ruajtur çdo imtësi të rrjedhës së minutave e orëve brenda një dite. Protagonistët e përmendur në ditarin e Sabri Morinës, janë persona real, dhe vetëm pak prej tyre nuk janë më në mesin tonë”- ka thënë Rexha.
Sipas tij, me botimin e këtij ditari Sabri Morina ka pasuruar fondin e kujtesës dhe të ardhmes për njeriun e kësaj treve e më gjerë, për t’i dhënë jetë historisë se re të Kosovës.
Autori Morina planifikon edhe botimin e pjesës së dytë të ditarit “Drama e mbijetesës”.
Sabri Morina është profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ishte njëri prej protagonistëve në ngjarjet e asaj kohe të dhëna me saktësi e besnikëri në ditar. Morina, po ashtu ishte drejtues i arsimit për shumë vite në komunën e Kamenicës, si drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” dhe më pas për shtatë vite drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Kamenicë.