Dragashi nuk ka asnjë të dyshuar e as të prekur me coronavirus

Komuna e Dragashit deri më tash nuk ka asnjë të prekur e as të dyshuar me coronavirus.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Shaban Shabani, i cili ka thënë se në këtë komunë ekipet mjekësore janë duke u kujdesur që ta parandalojnë sa më shumë përhapjen e këtij virusi.

Shabani më tej ka thënë se mund të jetë mbi 100 persona të ardhur nga jashtë të cilëve komuna ju ka bërë apel publik të shkojnë për kontroll.

“Është pak e vështirë ta llogarisim numrin e saktë se sa kanë ardhur, mendojmë se janë deri në 100 persona që kanë ardhur, por disa prej tyre kanë ardhur edhe më herët. Ekipet e emergjencës janë në terren se po bëjnë kontroll dhe janë në gatishmëri për intervenim, disa familje e pothuajse krejt Dragashi janë në vetizolim, masat e Qeverisë janë duke u respektuar edhe pse pak e vështirë, pasi jeta në Dragash është dinamike e tash përnjëherësh e qetë. Në komunën tonë 90 përqind e zonës është rurale. Situata tash është e qetë dhe stabile, shpresojmë të vazhdojë, por kjo nuk d.m.th që në ditët në vazhdim do të jetë e njëjtë për shkak të situatës në gjithë Kosovën dhe botë”, ka thënë Shabani.

Ai më tej ka thënë se stafi mjekësor mund të kenë problem me pajisje mbrojtëse në ditët në vazhdim për shkak se janë duke u shpenzuar mjetet me të cilat i ka furnizuar Ministria e Shëndetësisë.

“Një problem është se pajisjet mbrojtëse të ekipeve mjekësore kanë filluar të shpenzohen, ne e kemi pasur një furnizim nga Ministria e Shëndetësisë, por përderisa nuk jemi qytet karantinë nuk po bëjmë kërkesa urgjente dhe shpresojmë se do të furnizohemi. Ne ju kemi bërë apel publik për të gjithë të ardhurit të vijnë në kontroll, ekipet mjekësore janë në terren dhe po e kryejnë punën”, ka vazhduar më tej ai.

Tutje Shabani, i cili udhëheqë një komunë e cila ka edhe institucione që funksionojnë me sistem paralel serb, ka thënë se masat dhe vendimet e qeverisë janë duke u respektuar në të gjithë vendin dhe shkollat dhe asgjë tjetër nuk është duke punuar.

Në Kosovë, deri më sot, janë testuar 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv me COVID-19.